Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka dhënë një koment për artikullin e tash kryetarit të kuvendit, Dimal Bashës, ku më 2012 pretendonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u financua nga trafikantë të drogës dhe mafia shqiptare.
E pyetur se a do të kërkojnë shkarkimin e Bashës, Bajrami tha se LDK-ja nuk ndjenë asnjë përgjegjësi pasi Bashën s’e kanë votuar për kryetar kuvendi.
“Nuk kemi dhe nuk ndjejmë asnjë përgjegjësi pasi Dimalin pasi s’e kemi votuar, kështu që nuk e di për hapat tutje. LDK-ja nuk e ka votuar Dimalin për kryetar kuvendi”, tha Bajrami për Klan Kosova.
Shkrimi i Bashës ka për bashkëautore Jana Arsovskan, e cila del të jetë ligjëruese e Sociologjisë në “John Jay College of Criminal Justice”, në New York, aty ku e ka përfunduar edhe Basha universitetin.
Sipas artikullit të Bashës dhe Arsovskës, UÇK-ja nuk mbështetej zyrtarisht nga asnjë shtet dhe duhej të mbështetej në burime të tjera alternative financimi.
“Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe ShBA. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.
“Ndërsa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së”, thuhet ndër të tjera në artikullin që për bashkë-autor ka Bashën.