Menjëherë pas arrestimit të Haki Hajdarit kanë reaguar veteranët e UÇK-së të fshatit Klinë e Poshtme në lidhje me arrestimin e tij, transmeton Drenica Press.
Në një komunikatë dërguar portalit Drenica Press, ata shprehën “Ne veteranët e UÇK-së të fshatit Klinë e Poshtme shprehim shqetësimin tonë pas arrestimit të bashkëluftëtarit dhe bashkëfshatarit tonë Haki Hajdari (Haki Drenica). Hakiu është njëri ndër bashkëluftëtarët e parë të komandantit Legjendar Adem Jashari i cili e filloi veprimtarinë e tij atdhetare që nga vitet ’90-ta, duke marrë pjesë aktivisht në aksionet e para kundër forcave pushtuese serbe që zhvilloheshin atë kohe në Komunën e Skenderajt. Ai ka dhënë kontribut të madh në kohën e ilegalitetit dhe sidomos ka kontribuar maksimalisht në furnizimin me armë dhe logjistikë të ushtarëve të UÇK-së nga Shqipëria.
Hakiu gjatë përiudhes së luftës nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka përcjellurë furnizimet me armatim dhe kalimet e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në shërbim të masivizimit dhe armatosjes së pjesëtarëve të UÇK-së. Për shkak të veprimtarisë së tij të ngjeshur në shërbim të luftës për çlirim, Haki Hajdari u dënua nga pushtuesi serb në mungesë më 11 vjet burgim. Prandaj, duke e vlerësuar lartë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në luftën për lirinë e Kosovës, ne bashkëluftëtarët e tij, duke besuar fuqishëm në pastërtinë e figurës së Haki Hajdarit e kundërshtojmë fuqishëm ndjekjen që po bëhet ndaj tij. Ngritja e aktakuzave, ndjekja dhe arrestimi i Hakiut janë të padrejta dhe të fabrikuara me qëllim të njollosjes së veprimtarisë së tij të begatshme patriotike. Ne besojmë se akuzat janë krijuar nga dëshmitarë të paguar nga qarqe që nuk ia duan të mirën vendit tonë dhe më qëllim të degradimit të luftës sonë të drejtë dhe çlirimtare. Pastërtia e luftës së ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së është dëshmuar botërisht dhe do të dëshmohet sa herë që është nevojshme. Pavarësisht ndjekjeve të vazhdueshme që po u bëhen ish pjesëtarëve të UÇK-së dhe në këtë rast edhe të z. Haki Hajdari, pastërtia e luftës së djemve të Kosovës të rreshtuar në radhët e UÇK-së është e pacenueshme dhe nuk do të njolloset asnjëherë”.
Komandanti i Kompanisë IV të UÇK-së: Sylejman Aliu