Skenderaj, një vajzë e vogël kafshohet nga gjarpri

Një vajzë 4-vjeçare është kafshuar nga gjarpri derisa bashkë me të vëllanë e saj binjakë kanë luajtur me të në oborrin e shtëpisë. Në QKUK kanë mbetur vetëm edhe dozat e fundit të serumit, derisa sivjet shtatë kosovarë raportohet se janë kafshuar nga gjarpërinjtë.
Kishte dalë në oborr mesditën e së hënës. Por, 4-vjeçarja A. D. nga Syrigana e Skenderajt gjersa luante me vëllanë e saj binjak, ishte takuar me diçka jo të zakontë në oborrin e shtëpisë së saj në veriperëndim të Kosovës.
Një gjarpër ishte shndërruar për një moment në një “lodër” për vogëlushen e cila kishte kapur gjarprin me dorë dhe kishte filluar të luajë me të. Gjatë lojës, gjarpri e ka kafshuar vogëlushen në pjesën e dorës. Kështu, loja me gjarprin e ka sjellë atë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nëna e saj ka treguar se fëmijët ishin duke luajtur kur kishte dëgjuar një zhurmë.
“I dëgjova fëmijët që bërtitën. Atë moment e pashë që vajza ishte kafshuar nga gjarpri dhe me shpejtësi e dërguam në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Runik”, thotë gruaja rreth të tridhjetave. Ajo tregon se ishte një gjarpër mjaft i gjatë.
Por mjekët në Runik të Skenderajt e kishin udhëzuar familjen që pacienten ta dërgojë në drejtim të Mitrovicës.
Por, nëna e vogëlushes A. D. thotë se nga Mitrovica vajzën e kanë sjellë direkt në Prishtinë në Klinikën Infektive të QKUK-së.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12 të ditës së sotme”, thotë nëna, e cila tregon se në fshatin nga ata vijnë shfaqen shpesh gjarpërinj.

Lexo edheAmbasadori britanik: Mos i votoni kriminelët
Por, në gjithë këtë fatkeqësi mjekët thonë se ishte fat që gjarpri nuk kishte arritur të lëshojë helmin në dorën e vajzës.
Rasti i vogëlushes A.D. nga komuna e Skenderajt është i shtati për këtë vit kur në Kosovë si rezultat i kafshimit nga gjarpërinjtë pacientët kërkojnë mjekim në Klinikën Infektive.
Drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së, Hamdi Ramadani, ka thënë për Rtklive.com se kafshimet e gjarpërinjve janë mjaft të shpeshta.
Ai ka thënë se trajtimi i pacientëve kryesisht shkon mirë. Por, ai ka thënë se kanë doza shumë të kufizuara të serumeve që injektohen në rastet kur pacientët sulmohen nga gjarpërinjtë.
“Ministria e Shëndetësisë na ka siguruar 3 doza. Aktualisht kemi edhe këtë pacienten e fundit, një tjetër e kemi injektuar dhe na mbetet vetëm edhe një”, ka thënë Ramadani.
Ai është shprehur se si rezultat i kafshimit nga gjarpërinjtë, 4 pacientë janë hospitalizuar derisa 3 të tjerë janë mjekuar në mënyrë ambulantore. /RTK/.














