Posti i kryetarit të Komunës së Skenderajt, kandidat për të cilin pritet të jetë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Nuredin Lushtaku, ka bërë që ai më mos të hy në garë për deputet të Parlamentit të Kosovës.
Kështu tha për “Gazeta Blic” një burim brenda PDK-së.
Sipas këtij burimi, ish-deputeti Lushtaku është larguar nga lista e PDK-së me kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës, pasi që atij i është premtuar mbështetja e partisë për të kandituar për kryetar të Komunës së Skenderajt, në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
“Ish- deputeti Nuredin Lushtaku, nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, kjo pasi që në zgjedhjet e sivjetme lokale ai pritet të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt. Një gjë e tillë do të zyrtarizohet së shpejti, pasi që edhe zgjedhjet po afrohen“, ka thënë ky burim.
Se nuk do të rikandidoj më për deputet, këtë e konfirmoi vet Lushtaku për “Gazeta Blic”.

“Unë kam marrë vendim që më të mos kandidoj për deputet të Kuvendit të Kosovës” , tha ai.
I pyetur se a është posti i kryetarit të Skenderajt arsye e mos rikandidimit të tij për deputet, ai as nuk pohoi e as mohoi një gjë të tillë, por shtoi se “për këtë punë merr vendim kryesia e partisë.”
Ish-deputeti Lushtaku, është kushëri i kryetarit aktual të kësaj komune, Sami Lushtaku i cili në vitin e kaluar është dënuar me 12 burg në një aktakuzë për krime lufte nga një trup gjykues ndërkombëtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicë për vrasjen e një personi të panjohur në vitin 1998 në mes të fshatit Galicë dhe Dubovc të Vushtrrisë.
Ndryshe, PDK-ja është ajo e cila i ka fituar zgjedhjet në këtë komunë që nga paslufta me shumicë të votave./Gazeta Blic/