Mulliri ‘Albatros’ në Torinë të Lipjanit po i kushtëzon qytetarët që të blejnë një thes krune, që më pas të mund ta blejnë thes miell.
Njëri nga qytetarët e Lipjanit, i cili nuk ka dashur ta zbulojë identitetin, i ka thënë Insajderit se ata janë të detyruar të blejnë krune, pa pasur fare nevojë, që më pastaj ta fitojnë të drejtën për të blerë edhe miellin në këtë mulli.
“Kur kam shku me ble miell, një punëtor i këtij mulliri më ka thënë, nuk mundesh me ble miell pa ble një thes krune”, i ka thënë Insajderit qytetari.
Ai, gjithashtu ka treguar se ka shkuar edhe te mulliri në Hallaq të Madh për t’u furnizuar me miell, por as aty nuk ka mundur të blejë, për shkak se nuk ka pasur.
“Pastaj kam shku edhe te një mulli tjetër në Hallaq të Madh. Por aty nuk kish pas hiç miell. Kur shkova njëri prej punëtoreve në formë të hajgares me tha se nuk kemi miell për të shitur, veç kush ka pru grurin ju japim”, ka thënë ai.
Ditëve të fundit qytetarët janë dyndyr nëpër mullinj për të siguruar miell pas përhapjes së Koronavirusit në vend, pavarësisht se shteti ka thënë se ka rezerva të mjaftueshme./Insajderi.com