Ramush Haradinaj nuk ka mundur të shkojë për të bërë homazhe tek memoriali “Adem Jashari” në Prekaz në Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi po mbahet në Francë, ndaj ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se “ndjenja qenka edhe më e fortë, kur ngjarjet e tilla i kujton larg atdheut”, njofton Klan Kosova.
Haradinaj, që para dy muajve u arrestua nga autoritet franceze me një urdhërarrest të Serbisë lëshuar në Interpol, shkroi se “nuk ka ditë më të shënuar se sa dita e sotme”.
“Nuk ka sakrificë më të madhe se sa sakrifica e Familjes Jashari! Të gjithë të gjallët janë të vegjël përpara heroizmit të luftëtarëve të lirisë, të prirë nga Adem Jashari, të cilët sot pushojnë në varrezat e Kompleksit Memorial në Prekaz”.
“Ne u jemi borxhli të rënëve të lirisë, pa të cilët Kosova e lirë as që do të mund të imagjinohej”.