Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dy dekadat e fundit, kanë ndërmarrë hapa të rrallë, por domethënës, për të pezulluar ose ngrirë forma të bashkëpunimit strategjik me disa shtete.
Ndër vendet që aktualisht janë prekur drejtpërdrejt nga këto vendime janë Kosova dhe Gjeorgjia, me të cilat SHBA ka pezulluar dialogun strategjik, një mekanizëm kyç për bashkëpunim të thelluar dypalësh, raporton lajmi.net
Në rastin e Kosovës, pezullimi u njoftua më 12 shtator 2025 nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, si reagim ndaj veprimeve të Qeverisë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti, që sipas Uashingtonit “rrezikojnë stabilitetin dhe e shtyjnë vendin në izolim ndërkombëtar”.
Ky vendim vjen si paralajmërim i ashpër nga aleati më i madh i Kosovës, për mungesën e koordinimit dhe qasjen unilaterale në vendimmarrje.
Për këtë situatë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku ka shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë për këtë mekanizëm me rëndësi të bashkëpunimit me aleatin kryesor të Kosovës.
“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe ShBA-ve”, tha ajo.
Ndërkohë, Gjeorgjia e përjetoi një zhvillim të ngjashëm në fund të vitit 2024, kur SHBA pezulloi zyrtarisht Partneritetin Strategjik me Tbilisin.
Ky vendim erdhi pas shqetësimeve për erosione demokratike, ligje kundër “agjentëve të huaj”, dhe veprime të perceptuara si pro-ruse nga qeveria e vendit. Megjithatë, kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze ka shprehur gatishmëri për ta rifilluar bashkëpunimin me SHBA-në.
“Ne jemi të gatshëm të rinovojmë sinqerisht partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara,” tha Kobakhidze në një intervistë për kanalin televiziv Imedi, duke shtuar se Tbilisi është gati për një plan konkret veprimi që do të rifillojë marrëdhëniet me Uashingtonin.
Sipas tij, rivendosja e marrëdhënieve varet gjithashtu nga zhvillimet e brendshme politike në SHBA.
“Po presim një qëndrim zyrtar nga SHBA-ja dhe gjithashtu do të presim me durim emërimin e një ambasadori në Gjeorgji. Rivendosja e marrëdhënieve do të varet nga kush fiton luftën midis administratës Trump dhe ‘shtetit të thellë’.”
Kobakhidze përshëndeti gjithashtu pezullimin e “Aktit të Miqësisë” në Kongresin Amerikan, duke e interpretuar si dështim të përpjekjeve të disa qarqeve për të sanksionuar Gjeorgjinë.
Ndryshe nga Kosova dhe Gjeorgjia, SHBA nuk ka ndërprerë zyrtarisht partneritete strategjike me Rusinë dhe Kinën, megjithëse marrëdhëniet me këto dy fuqi janë thellësisht të tensionuara.
Me Rusinë, SHBA ka përjetuar përkeqësim të ndjeshëm të marrëdhënieve pas aneksimit të Krimesë, luftës në Ukrainë dhe përplasjeve të vazhdueshme në fushën e sigurisë, energjisë dhe teknologjisë.
Dialogët për kontrollin e armëve, stabilitetin strategjik dhe bashkëpunimin diplomatik janë reduktuar ndjeshëm, por nuk janë shpallur të ndërprera në mënyrë përfundimtare.
Me Kinën, marrëdhëniet janë po ashtu të tensionuara, për shkak të çështjeve të Tajvanit, detit të Kinës Jugore, teknologjisë 5G dhe të drejtave të njeriut.
SHBA ka vendosur sanksione dhe kufizime në fusha të caktuara si eksporti i çipave apo bashkëpunimi teknologjik, por nuk ka shpallur një ndërprerje zyrtare të partneritetit strategjik me Pekinin./Lajmi.net/