Si shpëtoi Zelensky/ Rusët për pak e kapën në orët e para të pushtimit

Nga Justin McCurry, GUARDIAN
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka përshkruar se si forcat ruse ishin shumë afër kapjes peng apo vrasjes së tij në orët e para të pushtimit.
Zelensky është vlerësuar gjerësisht për përgjigjen e tij ndaj pushtimit gjatë 65 ditëve që kur trupat e para ruse hynë në Ukrainë. Ai ka mbajtur një fjalim drejtuar Kongresit Amerikan, Bankës Botërore dhe te Çmimet Grammy. Boris Johnson është ndër figurat e profilit të lartë që është i etur për t’u parë në shoqërinë e tij.
Por koha e tij si udhëheqës i një vendi nën sulm nga një fqinj shumë më i fuqishëm mund të kishte përfunduar brenda disa orësh nga fillimi i pushtimit.
Duke folur për revistën Time, reporteri i të cilës kaloi dy javë në kompleksin presidencial në Kiev, Zelensky përshkroi se si trupat ruse iu afruan gjetjes së tij dhe familjes, ndërsa ata u përpoqën që të vënë nën kontroll zonën qeveritare të kryeqytetit në ditën e parë të konfliktit.
Ndërsa shumë nga kujtimet për orët e para mbeten të fragmentuara, Zelensky thotë se agimi i 24 shkurtit binte në sy.
Pasi nisi bombardimi, ai dhe e shoqja, Olena Zelenska, shkuan t’i tregonin vajzës së tyre, 17-vjeçare, dhe djalit 9-vjeçar që të përgatiteshin të largoheshin nga shtëpia. “I zgjuam nga gjumi. Kishte zhurma të forta. Më tej po ndodhnin shpërthime”, thotë Zelensky.

Lexo edheRritet tensioni në Moldavi, sulme të reja në Tiraspol, shpallet “alarmi i kuq”
Ushtria ukrainase i tha Zelensky-t se ekipet ruse të sulmit ishin ulur me parashutë në Kiev për ta vrarë ose për ta kapur atë dhe familjen e tij. “Para asaj nate, ne kishim parë gjëra të tilla vetëm në filma,” tha për revistën Andriy Yermak, shef i stafit të tij.
Përleshjet me armë shpërthyen rreth lagjes qeveritare, ndërsa ra nata në ditën e parë të luftës. “Rojet brenda kompleksit fikën dritat dhe sollën jelekët antiplumb dhe disa pushkë sulmi për presidentin Zelensky dhe një duzinë ndihmësish të tij,” kujton reporteri i Times.
Një nga zyrtarët e paktë që dinte të përdorte armët ishte Oleksiy Arestovych, një veteran i shërbimit të inteligjencës ushtarake në Ukrainë. “Ishte një çmenduri absolute. Automatikë për të gjithë,” thotë ai.
Trupat ruse bënë dy përpjekje për të sulmuar kompleksin, ndërsa familja e Zelensky ishte ende brenda.
Natën tjetër, pasi refuzoi ofertat për një mjedis më të sigurt- duke përfshirë një evakuim nga forcat amerikane dhe britanike, që do t’i mundësonte të krijonte një qeveri në mërgim- Zelenesky doli jashtë në oborr për të regjistruar në telefonin e tij një video-mesazh, që është bërë i famshëm tani.
Në atë moment, Zelenskyu thotë se u bë vërtet i vetëdijshëm për rolin e tij në luftë. “Ti e kupton se ata po të shikojnë. Ti je një simbol. Ti duhet të veprosh ashtu siç duhet të veprojë kreu i një shteti,” i tha ai revistës.














