Një ngjarje e rëndë ka tronditur ditën e djeshme qytetin e Pejës ku në afërsi të Gjykatës një person ka shtënë me armë zjarri, duke lënë të plagosur rëndë dy persona.
Klan Kosova ka bërë publike disa pamje kur njëri prej të plagosurve hyn në barnatore, teksa policia intervenon.
Kujtojmë se Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë informacione të reja lidhur me gjendjen shëndetësore të dy personave që u plagosën gjatë të shtënave të ndodhura dje pasdite në afërsi të Qendrës së Paraburgimit në Pejë.
Sipas njoftimit zyrtar, njëri nga pacientët është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa tjetri po trajtohet në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë dhe ndodhet në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetën.
“Të gjithë personat e përfshirë në rast janë trajtuar nga ekipet mjekësore të spitalit, në përputhje me nevojat e tyre shëndetësore,” thuhet në njoftimin e spitalit.
Burimet e IndeksOnline kanë pohuar se personat e plagosur janë Alfred Ukaj dhe Basri Gashi, ndërsa i dyshuari për plagosje është Mahmut Hoxha. /Indeksonline/