Nga Mentor Buzhala
Shteti vazhdon t’ia trashë monopolin kompanisë “Devolli”. Shteti, ia ndërpreu punën që kryente për dekada një institucion publik, përkatësisht Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës, dhe përgatiti terren për t’ia dhënë kompanisë private. Pra, shërbimet që ofronte fakulteti për atestimin e veturave, tani do ta kryejnë Devollët, dhe sikurse kryejnë për vite homologimin e veturave, pritet të bëjnë së shpejti edhe kontrollin për gazra.
Nga rreth 350 mijë vetura që janë në Kosovë, një numër i madh i tyre kryejnë edhe Atestim. Kjo nënkupton kontrollim për veturat që kanë bërë ndryshim ose përmirësime në pajisje, pjesë dhe mekanizma, pas daljes nga fabrika.
Devollët gati të vjelin para
Meqë shteti ia ndaloi fakultetit të kryej Atestimin e veturave, Devollët nuk kanë vonuar të bëhen gati dhe të marrin punën për vete.
Fakte Plus ka siguruar disa fotografi ku shihet se kompania “Euro Lab” që është pjesë e Devollit, para kohe ka bërë gati objektin dhe po pret t’i kryej këto shërbime, për të cilat do të paguhet mirë.
Një burim i Fakte Plus ka treguar se gjithçka është gati dhe se puna pritet të nis së shpejti.
“Objektet veç kanë përfunduar. Tash pritet që të nis puna. Është duke u pritur të hyj në fuqi vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës që parasheh kontrollin e veturave për gazra. Po ashtu, në këto objekte është duke u bërë edhe Atestimi për vetura”, ka thënë ky burim.
Se tani Atestimin e veturave do të bëjë kompania “Euro Lab” e Devollëve e konfirmojnë edhe zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët sqarojnë se tashmë ky shërbim do të kryhet në kuadër të homologimit individual.
“Atestimi i automjeteve – me hyrjen ne fuqi të Ligjit Nr.05/L-132 për automjete dhe Udhëzimit Administartiv 02/2018 për homologimin, termi Atest hiqet dhe përdoret termi homologim individual i mjeteve të përmirsuara dhe riparuara. Homologimin individual – Atestimin ia jepë QAK-ut. Ligji Nr.05/L-132 për automjete ia bart këtë veprimtari prej hyrjes në fuqi të UA 02/2018 për homologim prej 12.04.2018 “, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Shteti na e dha shteti na e mori
Për ndërprerjen e veprimtarisë që kryenin me dekada japin ankesa edhe nga stafi akademik i Fakultetit Teknik. Vetë dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala ka thënë se nëse Ministria e Infrastrukturës vendos që ta zgjerojë tregun dhe mos të lërë vetëm një kompani private për këtë punë, do të konkurrojnë si fakultet.
“Shteti na e ka dhënë dhe shteti na e ka marrë. Kemi pas marrëveshje që disa vite ta bëjmë këtë punë. Por, tash kjo është bartur dikund tjetër. Ministria ka shtuar kritere të reja dhe ne nuk kemi mundur t’i plotësojmë. Por, nëse vendoset që të këtë edhe pika të tjera për ta bërë këtë punë, ne si fakultet do të aplikojmë dhe do të mundohemi që t’i plotësojmë kushtet”, ka thënë Shala.
Kurse, në Ministri të Infrastrukturës arsyetohen se marrëveshja mes Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (në atë kohë), Ministrisë së Arsimit, Rektoratit të UP-së dhe Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, është ndërprerë për mospërmbushje të dispozitave të marrëveshjes.
Devollët edhe kontrollin për gazra
Pos homologimit individual (Atestit) të cilin do ta bëjë veç kompania “Euro Lab”, duke eliminuar kështu konkurrencën e lirë, kjo kompani ka bërëgati edhe objektin për kontrollin e gazit, pasi edhe ky kontrollim do të jetë i obligueshëm për vetura pasi të fuqizohet me ligj pas pak muajve.
Drejtori në Departamentin e Automjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës, Kadri Krasniqi ka thënë se sipas udhëzimit administrativ faza testuese për matjen e gazrave do të fillojë në tremujorin e fundit të këtij viti, kurse implementimi nga janari i vitit të ardhshëm.
“E kemi ne udhëzimin dhe në bazë të tij fillon implementimi i çështjes së gazrave. I kemi caktuar 7 Qendra të kontrolleve teknike për trajnime. Por, kur të fillon implementimi janë kriteret dhe parametrat, ku do të nxirret dhe çmimorja. Me gazrat do të merren kontrollet teknike, jo QAK-u. Çdo kontroll teknike e ka aparaturën për matje të gazrave. Edhe 350 mijë automjete që janë në qarkullim në Kosovë, gjatë vitit, gazrat do t’i bëjnë nëpër kontrollet teknike”, tha Krasniqi për FaktePlus.
Qysh në fund të vitit 2008 Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) pati nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë. Pas kontratës, ministria i ka lëshuar kompanisë një autorizim për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare, 2009-2019.
Lidhur me të gjitha këto, FaktePlus ka provuar të marrë një përgjigje me shkrim edhe nga kompania “Euro Lab” e Devollëve, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Monopoli i Devollëve
Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami e kishte kritikuar ashpër ndyshimin e këtij ligji, duke thënë se Ministria e Inraukturës po e fuqizon edhe më shumë kompaninë Devolli.
“Tash kur ka mbetur më pak se një vit që kontrata në mes të EuroLab, respektivisht Devollëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës të përfundojë dhe kur Qeveria do të duhej të lirohej nga monompoli në këtë fushë me këtë udhëzim administrativ, minitria i siguron jetëgjatësinë në pafundësi monopolit ekzistues”, ka thënë ajo.
Pavarësisht se ky udhëzim e parasheh se operatorët e tjerë mund të aplikojnë, Bajrami vlerëson se veprimet që e kufizojnë konkurrencën janë të ndaluara.
“E ky udhëzim administrativ është në kundërshtim edhe me ligjin”, është shprehur ajo. Kurse, Instituti GAP kishte konstatuar se me udhëzimin për homologim nuk po largohet monopoli.
“Në vend se të ndërmerren hapa për largimin e monopolit, idhëzimi i ri administrativ i jep të drejtën kompanisë ekzistuese të vendosë mbi subjektet konkurruese”, thuhej në komunikatën për shtyp të Institutit GAP.
Me punën e kompanisë Devolli ishte marr edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Ky institucion ka treguar se i kishte rekomanduar Ministrisë së Infrastrukturës që të ndryshojë ligjin dhe ta zgjeroj tregun për homologim të veturave.
“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës rekomandon Ministrinë e Infrastrukturës që ta rishikojë dhe ta bëjë plotësim ndryshimin e dispozitave në draft-udhëzimit administrativ (mi) nr. xx/2017 për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore veçanërisht nenin 3, 6, 7 dhe 20. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, sugjeron – që Autoriteti Homologues (Ministria) të bëjë Liberalizimin e tregut të Homologimit të automjeteve, ta hap tregun në më shumë subjekte afariste duke u bazuar në një konkurrencë të lirë dhe të ndershme të tregut. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës rekomandon Ministrinë e Infrastrukturës që në parim, tregu i lirë e përcakton çmimin e shërbimit të Homologimit, meqë rasti karakterizohet si specifik, atëherë Ministria vendos vetëm për çmimin tavan – maksimal duke mos i detyruar subjektet e autorizuara të kenë çmime unike”./FaktePlus


