Donald Trump “u kap në befasi” nga bombardimet ajrore të fundit të Izraelit në Siri dhe në një kishë katolike në Rripin e Gazës, dhe në të dyja rastet telefonoi menjëherë kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, deklaroi të hënën zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt.
“Në të dyja rastet, ai telefonoi shpejt kryeministrin Netanjahu për të korrigjuar situatën”, theksoi Leavitt.
Duke folur për sulmet në Siri, Leavitt shtoi se “pati më pas një de-përshkallëzim të situatës”. Ajo theksoi gjithashtu se “presidenti Trump ka një marrëdhënie të mirë pune me kryeministrin ‘Bibi’ Netanjahu dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me të”.
Izraeli kreu bombardime ndaj ushtrisë siriane në qytetin Suëjda, në jug të vendit, i banuar kryesisht nga komuniteti druz, si dhe në Damask, në fillim të javës së kaluar.
Sipas analistëve, këto sulme synuan të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve de facto siriane për të tërhequr forcat e tyre nga zonat ku ndodhën përplasje të përgjakshme midis Druzëve dhe Beduinëve.
Pas tensioneve, Siria dhe Izraeli ranë dakord të premten në mbrëmje për një armëpushim, me ndërmjetësimin e SHBA.
Kujtojmë se Netanjahu realizoi në fillim të korrikut vizitën e tij të tretë në Uashington që nga rikthimi i Donald Trump në presidencë më 20 janar.