Bahtiri jep 5 mijë euro nga buxheti personal për shërimin e 19 vjeçares nga Mitrovica.
Kreu i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka ndarë para nga buxheti i tij personal për Nazlije Sherifin, 19 vjeçaren e cila vuan nga një sëmundje e rëndë e për të cilën po kërkohen para për t’u shëruar jashtë vendit.
Këtë Bahtiri e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook.
Ai po ashtu ka ftuar që edhe qytetarët tjerë të ndihmojnë me aq sa kanë mundësi.
Postimi i plotë:
Pasi që jam jashtë vendit, nga mediat mora lajmin se një vajzë e re nga Mitrovica ka probleme serioze shëndetësore dhe i duhet një shumë e konsiderueshme e të hollave për sigurimin dhe transplatimin e veshkës, ku jam ndjerë jashtëzakonisht keq dhe jam lutur shumë për shërimin e saj.
Me këtë rast kam vendosur që të kontribuoj me 5 mijë euro nga buxheti personal për grumbullimin e shumës së nevojshme, e cila i nevojitet 19 vjeçares Nazlije Sherifi.
Sikur shteti ynë të kishte sistem shëndetësor normal, atëherë nuk do të kishin nevojë qytetarët të organizohen në baza ditore për grumbullimin e parave për shërimin e të sëmurëve anekënd Kosovës.
Ftoj të gjithë personat që kanë mundësi, që të kontribuojnë për shërimin e Nazlije Sherifit.