Shërbimet e Gjendjes Civile në “kolaps”, reagojnë komunat

Kolegji i drejtorëve Komunalë për Administratë, në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me paralizimin e vazhdueshëm të shërbimeve të gjendjes civile në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Kjo është dita e dytë radhazi që qytetarët nuk mund të marrin shërbimet bazë të gjendjes civile, si rezultat i mosfunksionimit të sistemit qendror të rrjetit.
Sipas kolegjit, përgjegjësia për këtë situatë qëndron plotësisht te Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Regjistrit Civil, si autoritete kompetente për mirëmbajtjen dhe funksionimin e këtij sistemi.

Lexo edheArabia Saudite kryen një numër të lartë ekzekutimesh për krime droge
“Kjo gjendje po shkakton shqetësim të madh dhe pakënaqësi te qytetarët, të cilët nuk po arrijnë të kryejnë procedurat jetike si pajisja me dokumente personale, regjistrimi i lindjeve, martesave, vdekjeve e të tjera,” thuhet në reagim.
Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon që organet përgjegjëse të ndërmarrin masa urgjente për rikthimin në funksion të sistemit dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.














