Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është duke qëndruar për shkak të zemërgjerësisë së Partisë Demokratike të Kosovës, por për shkak se nuk ka partner për të bërë Qeverinë.
“Unë mendoj që Qeveria nuk është duke qëndruar për shkak të zemërgjerësisë së PDK-së, por edhe për faktin që nuk kanë ndonjë partner tjetër për të formuar qeveri. Prandaj edhe nëse ka ndonjë bisedë prapa perdeve është mirë t’i lënë”, ka thënë ai në RTK 3.
“Po i referohem PDK-së, sepse zoti Veseli e ka ngritur nganjëherë këtë temë”, ka thënë Sherifi.
“Zoti Veseli le të shkojë në tavolinë me partnerët dhe të mos flitet në publik kjo temë”.
Ai ka thënë se nuk ka asgjë zyrtare rreth prishjes së Qeverisë.
“Partnerët e koalicionit nuk i kanë thënë njëri tjetrit, që duam të përfundojmë bashkëqeverisjen, dhe pasiqë nuk ka diçka edhe unë mendoj që janë spekulime”, ka thënë ai.



