SHBA kërcënon me sanksione dytësore, linjat ajrore iraniane rrezikojnë izolimin global nga 23 shtatori

Sekretari i Thesarit i Shteteve të Bashkuara, Scott Bessent, thotë se linjat ajrore iraniane mund të përjashtohen efektivisht nga udhëtimet ndërkombëtare duke nisur nga e mërkura, ndërsa Uashingtoni kërcënon kompanitë e huaja me sanksione dytësore nëse vijojnë t’u ofrojnë shërbime transportuesve ajrorë të Iranit.
“Më 23 shtator, të gjitha linjat ajrore iraniane do të mbyllen në të gjithë botën”, deklaroi Bessent të hënën për CNBC.
Paralajmërimi nuk u drejtohet vetëm vetë linjave ajrore, por edhe aeroporteve, furnizuesve të karburantit, kompanive të biletave dhe bizneseve të tjera nga të cilat ato varen për të operuar jashtë vendit.
“Nëse ato ulen, nuk mund t’u furnizoni me karburant, nuk mund t’u ofroni shërbime aeroportuale, nuk mund t’u shisni bileta, përndryshe do të përjashtoheni nga sistemi i dollarit”, tha Bessent.

Lexo edheMerz e quan “katastrofë” rezultatin e zgjedhjeve lokale, por thotë se nuk do të largohet
Kërcënimi shënon hapin më të fundit në fushatën ekonomike të administratës së presidentit amerikan Donald Trump kundër Teheranit, e cila po përshkallëzohet paralelisht me luftën mes SHBA-së dhe Iranit.
Në fillim të këtij muaji, Thesari amerikan vendosi sanksione ndaj të gjitha linjave ajrore iraniane që nuk ishin përfshirë më parë në listën e masave ndëshkuese, si dhe ndaj kompanive jashtë Iranit që akuzohen për mbështetjen e sektorit të aviacionit të vendit.
Industria iraniane e aviacionit ishte tashmë e kufizuar ndjeshëm nga sanksionet amerikane të vendosura prej vitesh, të cilat ua kanë vështirësuar kompanive ajrore blerjen e avionëve të rinj, sigurimin e pjesëve të këmbimit dhe marrjen e shërbimeve të mirëmbajtjes.














