SHBA-ja përgatitet për revokim masiv vizash, rrezikojnë të preken rreth 200 mijë persona

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përgatitet të ndërmarrë një nga revokimet më të mëdha të vizave në historinë e Shteteve të Bashkuara, duke synuar deri në 200 mijë shtetas të huaj që kanë hyrë në vend me viza turistike ose biznesi dhe më pas kanë aplikuar për azil.
Sipas zyrtarëve amerikanë, kërkesat për azil në raste të tilla mund të përdoren si një mënyrë për të anashkaluar rregullat e emigracionit. Administrata argumenton se personat që hyjnë me viza për qëndrime të përkohshme nuk duhet ta përdorin sistemin e azilit si një “shteg” për të qëndruar në SHBA.
Masa do të prekë kryesisht mbajtësit e vizave të kategorive B1 dhe B2, të cilat përdoren për udhëtime biznesi dhe turistike.

Lexo edheJeff Bezos shihet në Kroaci, bashkë me manjatin amerikan
Megjithatë, nisma pritet të shkaktojë përplasje të forta ligjore, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zbatohet ndaj personave që kanë tashmë procedura azili në proces.
Nëse zbatohet në përmasat e parashikuara, kjo lëvizje mund të shënojë revokimin masiv më të madh të vizave në historinë amerikane, duke sinjalizuar një tjetër forcim të politikave të administratës Trump ndaj emigracionit.














