Mbi 1.5 miliardë dollarë janë planifikuar për projekte infrastrukturore në bazat ushtarake izraelite, në një prej paketave më të mëdha të investimeve amerikane në sektorin e mbrojtjes së një vendi aleat.
Lajmi u raportua nga gazeta izraelite Haaretz, që thekson se projektet do të menaxhohen nga Korpusi i Inxhinierisë së Ushtrisë Amerikane dhe do të financohen tërësisht nga fondet e ndihmës ushtarake që Uashingtoni i jep Tel Avivit.
Investimet synojnë përmirësimin e kapaciteteve pritëse të bazave izraelite, me qëllim përshtatjen e tyre për mjete dhe sisteme të reja ushtarake, përfshirë avionë luftarakë të gjeneratës së fundit.
Një konferencë për kontraktorët që do të përfitojnë nga një pjesë e këtyre projekteve rreth 250 milionë dollarë ishte planifikuar për në qershor, por u shty për shkak të tensioneve mes Izraelit dhe Iranit.
Ndërkohë, pjesa tjetër e investimeve, që kap vlerën mbi 1 miliard dollarë, është në faza të ndryshme të planifikimit dhe zbatimit. Dokumentet zyrtare zbulojnë se disa prej bazave përfituese janë tashmë të identifikuara.
Fokusi kryesor mbetet modernizimi i Forcave Ajrore të Izraelit. Baza ajrore Tel Nof pritet të jetë një nga përfitueset më të mëdha, pasi aty mund të investohen deri në 100 milionë dollarë për të akomoduar avionët amerikanë të furnizimit ajror Boeing KC-46, që do të zëvendësojnë flotën e vjetër Boeing 707, në përdorim prej më shumë se gjysmë shekulli.
Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e një selie të re për forcat speciale detare Shayetet 13, ndërtimin e depove të reja për municion, rinovimin e qendrave për mirëmbajtjen e automjeteve të blinduara si dhe klinika të reja ushtarake.
Këto zhvillime ndodhin në kuadër të marrëveshjes 10-vjeçare të nënshkruar në vitin 2016, gjatë administratës Obama, që parashikonte 38 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin nga viti 2019 deri më 2028. Megjithatë, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe ofensivës së mëvonshme izraelite në Gaza, ndihma ka njohur rritje të ndjeshme.
Deri në shtator 2024, sipas të dhënave të Universitetit Brown, SHBA kishin ofruar mbi 23 miliardë dollarë ndihmë shtesë për Izraelin, përfshirë mbështetje për operacionet kundër rebelëve Houthi në Jemen. Në janar 2025, Kongresi amerikan miratoi një paketë të re me vlerë 26 miliardë dollarë, nga të cilat 4 miliardë u dedikuan ekskluzivisht për sistemet izraelite të mbrojtjes nga raketat.
Sipas politikës zyrtare të ndihmës ushtarake, fondet amerikane duhet të shpenzohen fillimisht në kompani të mbrojtjes në SHBA, të cilat më pas mund të nënkontraktojnë kompani të tjera, përfshirë edhe ato izraelite.
Precedente të kësaj natyre nuk mungojnë: në vitin 2012, SHBA ndërtuan një kompleks nëntokësor të koduar si “Site 911” në bazën ajrore Nevatim, ndërsa projekte të tjera të klasifikuara janë zbuluar në vitet e fundit, si një bazë e fshehtë pranë Tel Avivit dhe struktura ushtarake në jug të Izraelit afër Gazës – të raportuara nga portali The Intercept, në shtator të 2023-tës.
Ndërkohë që Uashingtoni zyrtar e sheh këtë mbështetje si pjesë të domosdoshme të angazhimit për sigurinë e Izraelit dhe ruajtjen e interesave strategjike në Lindjen e Mesme, kritikat në rritje po vijnë nga të dy krahët politikë. Debati është përqendruar te transparenca, përmasat e ndihmës dhe kostoja humanitare e luftës në Gaza.