Paul Pogba nuk do të jetë në dispozicion të AS Monacos për fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, bëjnë të ditur mediat franceze.
Sipas L’Equipe, mesfushori 32-vjeçar është lënë jashtë listës që klubi i Principatës do t’i dorëzojë UEFA-s, për shkak të një dëmtimi në pulpë.
Drejtori ekzekutiv i Monacos, Thiago Scuro, ka konfirmuar se procesi i rikuperimit të Pogbasë është ende në vazhdim, ndërsa nuk ka një afat të përcaktuar për rikthimin e tij në fushë.
Sezoni debutues i Pogbasë në Ligue 1 ka qenë zhgënjyes, i shoqëruar nga lëndime të shpeshta dhe mungesë vazhdimësie. Ish-lojtari i Manchester United ka regjistruar vetëm tre paraqitje me fanellën e Monacos.
Nga lista e Ligës së Kampionëve janë përjashtuar gjithashtu Takumi Minamino dhe Mohammed Salisu, të cilët po rikuperohen nga dëmtime serioze në ligamentet e gjurit, mungesa që ishin të pritshme. Ndërkohë, në listë janë përfshirë Krépin Diatta, si dhe përforcimet e dimrit Wout Faes dhe Simon Adingra.
Monaco do të përballet këtë muaj me PSG-në, kampionen në fuqi, në raundin play-off të Ligës së Kampionëve, ndërsa të enjten skuadra e Principatës luan ndaj RC Strasbourg në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Francës. /GazetaExpress