“I rrezikshëm, i keq dhe person që punon në favor të Serbisë”, po e quan presidentin Hashim Thaçi, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi. Ai teksa ka folur për deklarimet e të parit të shtetit për korrigjim kufijsh, ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Por, që ai ‘zbulon’ se Hashim Thaçi është futur në një skenar të rrezikshëm, që përmes ‘mjegullës’ ta ‘shes’ një marrëveshje shumë të dëmshme për ndarjen etnike në Kosovë, në mes tij dhe Aleksandër Vuçiq, të cilën sipas tij po e mbajnë të fshehtë për opinionin. Ai paralajmëron veprime konkrete nga Lëvizja Vetëvendosje, për ndaljen e këtij skenari të Hashim Thaçit.
“Mjegulla e njeriut më të rrezikshëm në Kosovë” – paralajmërimi për marrëveshjen sekrete Thaçi-Vuçiq
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi i ka komentuar deklarimet e presidentit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Lugina e Preshevës do të bashkohet me Kosovën. Për Selimin, nuk bëhet fjalë për bashkëngjitjen e kësaj pjese me Kosovën, por ‘një skenar i rrezikshëm për shitjen e një marrëveshje të rrezikshme në mes dy personave: Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq’.
Deputeti Selimi, teksa ka folur për Insajderin, ka thënë se këto janë lojëra të rrezikshme nga një person i rrezikshëm, i cili sipas tij ka nënshkruar marrëveshje të fshehtë me Aleksandër Vuçiqin për ndarjen e brendshme etnike në Kosovë, dhe se qëllimi i tij është që përmes mjegullës ta shes një marrëveshje shumë të dëmshme për vendin. Selimi ka shtuar se Hashim Thaçi nuk është vetëm politikan i keq, por dhe politikan i rrezikshëm.
“Thaçi në këto deklarata po tregon edhe njëherë aftësinë e tij për ta mjegulluar gjithçka që ka të bëjë me raportin në mes Kosovës dhe Serbisë. Në fakt nuk bëhet fjalë në këtë moment as për këmbim territoresh, e as ndryshim kufijsh. Në këtë rast bëhet fjalë për marrëveshjen shumë të rëndë dhe të keqe që tashmë Thaçi e ka nënshkruar me Serbinë, dhe krejt çka po ndodhë tani është për ta mbuluar këtë marrëveshje. Lojërat e tilla vazhdojnë të mbesin lojëra të rrezikshme, nga një person i rrezikshëm që quhet Hashim Thaçi. U kemi paralajmëruar se kur bëhet fjalë për Thaçin, ai nuk është politikan i keq, por edhe një politikan i rrezikshëm. Ju kemi paralajmëruar për një epilog të tillë të Thaçit dhe Vuciqit.
Ai ka thënë se tashmë Thaçi e ka nënshkruar një marrëveshje të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës, të cilën po e mban sekret për opinionin.
“Ai tashmë është dakorduar me Vuçiqin që ta ndajë Kosovën për së brendshmi në dy entiteti etnike, duke dhënë premtime për implementimin e Zajednicës, dhe tashmë ai tenton që të jap mjegull përmes disa deklarata për ndryshime kufijsh e të ngjashme dhe shkëmbime territoresh e të ngjashme. Krejt çka po mundohet që të fsheh me këto deklarata të bujshme, është marrëveshja që ai e ka nënshkruar me Vuçiqin dhe po synon që ta mbajë sekret për opinionin”, ka thënë Selimi.
Selimi ka thënë se përmes kësaj marrëveshje, do të jetë vetëm fillimi i një problemi shumë të madh që Kosova dhe Serbia, do ta kenë në të ardhmen, dhe se kjo marrëveshje do të jetë epilog i karrierës së Hashim Thaçit, si politikan, dhe prolog i mbjellur i një problemi të madh për të ardhmen në mes dy vendeve.
“Thaçi po mundohet që t’i japë një epilog karrierës së tij, jo raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë. Përfundimi i karrierës së tij dhe i këtij procesi maratonik në bisedime, nuk po del të jetë epilog në raport me Serbinë, por prolog i një problemi shumë të madh që tashmë është mbjellur për të ardhmen. Pra, nuk themi epilog të bisedimeve, por prolog i raporteve shumë të rënda në mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Rexhep Selimi për Insajderi.
“Hashim Thaçi është personi më i gabuar për përfaqësimin e Kosovës dhe më i duhuri për ta përfaqësuar atë në favor të Serbisë”, ka shtuar ai më tej.
Selimi ka shtuar për Insajderi, se nuk do të qëndrojnë duarkryq në këtë synim të Hashim Thaçit, dhe se Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarrë hapa konkret për ndalimin e këtij skenari.
“Ne do të vazhdojmë me oponentën tonë dhe do të vazhdojmë aktivitetet tona politike. Saktësisht cka do të bëjmë do ta dëshmojë koha. Ne zakonisht kemi asnjëherë nuk kemi qëndruar indiferent ndaj zhvillimeve qoftë në raport me Serbinë, qoftë me keqqeverisjet”.
Selimi gjithashtu ka thënë se në këtë moment duhet ndalimi i menjëhershëm i bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, për siç tha ai ndalimin e një të keqe të madhe që pritet t’i vijë vendit.
“Lëvizja Vetëvendosje, qëndron nëpër të njëjtat pozicione dhe për fat të keq koha na ka dhënë të drejtë, për atë që e kemi paralajmëruar si rrezik. Do të donim që të na demantonte koha, por doli ashtu sic paralajmëruam. Bisedimet me Serbinë janë të padrejta, kur bëhet fjalë për ndërtimin e brendshëm të Kosovës. Kosova dhe Serbia nuk bisedojnë në kushte të barabarta për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet. Kosova vazhdon të mbetet inferiore karshi Serbisë. Prandaj, shpëtimi i vetëm në këtë raport është ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve me Serbinë dhe kthimi i kursit të ecjes së Kosovës si shtet”, ka përfunduar Selimi.