back to top
Tuesday, October 21, 2025
BallinaLajmeSeanca në OKB: Kërkohet ekstradimi i Radoiçiqit dhe mbyllja e UNMIK-ut në...

Seanca në OKB: Kërkohet ekstradimi i Radoiçiqit dhe mbyllja e UNMIK-ut në Kosovë – Krejt çka u deklarua në këtë seancë për Kosovën

Të ngjajshme

Rexhepi: Kurti nuk ishte kundër krijimit të një komune me shumicë boshnjake

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, ka zbuluar detaje...

Luftanija më e madhe në botë arrin në detin kroat

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Gerald R. Ford, e njohur si...

Lambrinidis: BE pret që Serbia të ndjekë autorët e sulmit në Banjskë

Stavros Lambrinidis, ambasador i Bashkimit Evropian në Kombet e...

Martohet motra e Gigi dhe Bella Hadid-it, shpërthejnë lotët

Motra e modeleve të famshme, Gigi dhe Bella, Alanna...

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur të hënën për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë. Seanca u karakterizua nga përballje e drejtpërdrejtë ndërmjet ministres në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe homologut të saj serb, Marko Gjuriç. Në fokus ishte raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, si dhe çështja e sulmit në Banjskë dhe tensionet në veri të Kosovës.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz e cila ka përfaqësuar Kosovën në këtë takim, e ka filluar fjalimin e saj duke folur për zhvillim ekonomik në Kosovë. 

Ajo ka thënë se Kosova është “ekonomi e fortë” dhe se Banka Botërore ka qenë ajo që e ka ranguar Kosovën si “top lidere në botë” për rritje ekonomike, shkruan lajmi.net.

“Fuqia jonë derivon nga populli jonë, nga demokracia jonë perëndimore, dhe nga ekonomia jonë e fortë. Për të 5-tën herë radhazi, Banka Botërore e ka ranguar Kosovën si top-lidere në ekonomi në rritje në Evropë, derisa vendet e tjera po kanë probleme. Projeksioni për rritjen tonë është përsëri rreth 4%. Investimet direkte të huaja po rriten, e bashkë me to edhe fitimet. Kosova është e para në Evropë dhe 3të në bota në Indeksin për Sundim të Ligjit”, tha ajo.

Përveç saj, ministrja Gërvalla ka folur edhe për fqinjin e Kosovës, Serbinë, për presidentin e të cilës ka thënë se po e përgatit popullin serb për sulm ndaj Kosovës përmes propagandës.
“E përcjellim propagandën e Vuçiqit dhe urrejtjen që shpërndahet, e cila helmon popullatën serbe. Në Serbi mund të shihni grafite ku shkruhet: ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’, jo ‘nëse’. Ata nuk i fshehin qëllimet e tyre,” theksoi ajo.

Megjithatë, ministrja Gërvalla përsëriti angazhimin e Kosovës për dialog dhe zgjidhje paqësore të çështjeve me Serbinë, duke lavdëruar përpjekjet ndërkombëtare për të lehtësuar procesin.

“Dua të lavdëroj punën e zotit Sorensen për përpjekjet që po bën në drejtim të rezultateve konkrete, pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme nga Serbia,” u shpreh ajo.

Sipas saj, dialogu në Bruksel duhet të jetë i sinqertë dhe i orientuar drejt rezultateve, jo – siç tha ajo – “një mashtrim nga Vuçiqi”.

“Kosova ka interes të qartë për të reduktuar tensionet me fqinjët dhe për të çuar përpara një agjendë paqësore dhe evropiane,” përfundoi Gërvalla në fjalën e saj para OKB-së.

Ministrja Gërvalla ka folur në seancën e OKB-së edhe për sulmin terrorist nga Serbia në Banjskë, duke përsëritur kërkesën për drejtësi. 

Ajo rikujtoi se në shtator të vitit 2023, Serbia kreu një sulm të nivelit ushtarak kundër Kosovës, duke dërguar paramilitarë të trajnuar në bazat e saj ushtarake dhe të pajisur me armatim të sofistikuar, me qëllim që të shkëpuste me forcë territorin verior të Republikës së Kosovës.

“Komandanti i atij sulmi ishte dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën, i cili sot trajtohet si ‘mysafir nderi’ në Beograd. Kjo është mosndëshkim për agresion dhe për vrasje,” tha ministrja Gërvalla derisa i referohej Milan Radoçiqit, shkruan lajmi.net.

Ajo tha se sulmi në Banjskë ka qenë një akt i hapur i agresionit nga shteti i Serbisë kundrejt Kosovës, duke theksuar se edhe pse ka pasur prova, ky akt ka kaluar i pa ndëshkuar e kjo mosndëshkueshmëri mund të hap rrugë për sulme apo vepra të tjera që do të eskalonin situatën.

“Dua të nënvizoj edhe një herë, Banjska nuk ka qenë aksident, ka qenë akt i agresionit të hapur nga shteti i Serbisë ndaj një shteti fqinj, Republikës së Kosovës. Pastaj mosndëshkueshmëria ndikoi. Integriteti i infrastrukturës sonë kritike në nëntor të vitit të kaluar nuk ishte incident, ka qenë sulm kinetik i Serbisë ndaj një shteti fqinj. Të gjithë këtu edhe jashtë këtij objekti e di saktë se kush qëndron prapa këtyre veprimeve. E kemi parë në videoxhirimet nga Banjska, por nuk është që ka ndonjë pasojë. Po, kemi blerë drone por jo nga një vendet fqinje, nga një anëtar i NATO-s, Turqia, dhe po blejmë armatim nga aleatët tanë të NATO-s, nga partnerët tanë dhe që të jemi të sinqertë nuk jemi neutral, as nuk pretendojmë të jemi neutral sepse qëndrojmë përkrahë partnerëve tanë, aleatëve tanë dhe këtë e bëjmë në mënyrë krejt transparente dhe të qartë”, tha ajo.

Më tej, ajo kritikoi Serbinë për blerje të armatimit nga shtete si Rusia, Kina dhe Irani duke thënë se Kosova nuk bën një gjë të tillë.

Gjithashtu, ajo tha se situata në veri të Kosovës nuk është siç paraqitet, duke thënë se qeveria po angazhohet në dialog me qytetarët e veriut që të përmirësojë jetën e atyre qytetarëve

“Ne nuk blejmë armatim siç bën fqinji jonë verior, nuk blejmë armatim nga Rusia, as nga Kina, as nga Irani e vende të tjera të tilla. Institucionet shëndetësore nuk po mbyllen në veri, mu e kundërta, një dialog serioz me qytetarët tanë në komunat veriore që i përkasin pakicës serbe është në vazhdim e sipër mbi atë se si shëndetësia, arsimi, infrastruktura do të duken në Kosovë sepse ka të bëj me ta, çka ata kanë nevojë, si ata duan ta bëjnë jetën e tyre si qytetarë të Kosovës. Nuk duam e as nuk kemi nevojë për geto për qytetarët tanë serbë, na duhet integrimi, mbrojtja, përkrahja për ta dhe si qeveri e përgjegjshme po ndërmarrim veprime shumë serioze për të siguruar këto gjëra. Mu për këtë po ndërtojmë ura, rrugë, shkolla, spitale dhe jo mure kundrejt pakicave tona. Asnjë institucion i Kosovës e as ndërkombëtar apo ndonjë organizatë nuk e konfirmojnë pjesën më të madhe të raporteve të UNMIK-ut. Ajo që e tha Marko Gjuriq këtu nuk më befason fare dhe për ata që e kanë ndjekur në fund të viteve të 80-ta të shekullit të kaluar atë që ka ndodhur në Jugosllavi do t’iu përkujtohet se saktësisht me këtë mënyrë, me këtë gjuhë Millosheviqi ka përgatitur luftat që ka nisur kundër Sllovenisë, pastaj Kroacisë, Bosnjës dhe në fund Kosovës.”, tha ajo.

E para e diplomacisë në vend, Donika Gërvalla ka përmendur edhe rastin e arrestimit të ish-zyrtarit policor Arbnor Spahiut nga autoritetet serbe, duke e quajtur atë një akt hakmarrjeje ndaj atyre që mbrojtën Republikën e Kosovës nga sulmi në Banjskë, ndërsa Spahiu ndodhej jashtë vendit në kohën e sulmit.

“Nëse nuk ka pasoja për veprime të tilla, Serbia do të përshkallëzojë më tej agresionin. Sepse ky regjim nuk ka frikë nga fjalët, por vetëm nga veprimi,” theksoi ministrja Gërvalla, duke kërkuar edhe lirimin e ish-zyrtarit policor Arbnor Spahiut.

Në fund të fjalimit të saj, ministrja në detyrë i bëri ftesë të hapur anëtarëve të këshillit që të vizitojnë Kosovën dhe të shohin vetë situatën, duke thënë se Kosova është një storje e progresit të pabesueshëm.

“Më lini të bëj edhe një herë këtë ftesë para këtij organi të shquar që të vizitojë Kosovën. Që të flasin me qytetarët e Kosovës… ju ftoj që të vini që të flisni me këdo që dëshironi dhe ju ftoj që të bëheni vetë dëshmitarë të një rrëfimi të pabesueshëm të progresit që Kosova ka shënuar me ndihmën e paçmueshme të miqve dhe aleatëve tanë. Vizitoni Kosovën, flisni me kudo që dëshironi dhe vetë krijojeni opinionin dhe bëhuni dëshmitarë të një storje të pabesueshme të angazhimit ndërkombëtar në Kosovë.”, tha ajo.

Çfarë tha Serbia në këtë seancë të OKB-së?

Shteti i Serbisë në këtë seancë po përfaqësohet nga homologu i Gërvallës, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç i cili akuzoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin, se po udhëheq politika që synojnë dëbimin e serbëve nga Kosova dhe po dëmtojnë, siç tha ai, “trashëgiminë e paqes të presidentit Trump që u arrit gjatë mandatit të parë”.

Siç pretendoi Gjuriç, komuniteti serb po përballet me “gërryerje sistematike” dhe një “betejë humane për mbijetesë”.

Ai akuzoi autoritetet kosovare për arrestime arbitrare, dhunë të pakontrolluar dhe sfidim të parimeve themelore të OKB-së.

Kryediplomati serb denoncoi sulmet me motive etnike, duke pretenduar se mbi 30 të rinj serbë janë shënjëstruar që nga ardhja në pushtet e Kurtit.

Gjuriç akuzoi gjithashtu Kurtin për “militarizim të Kosovës” dhe për blerjen e dronëve kamikazë, duke theksuar se “paqja nuk ndërtohet me armatim të njërës palë”.

Ministri serb ndër të tjera pretendoi se rreth 20 për qind të serbëve kanë lënë Kosovën në një “eksod të heshtur”, ndërsa vetëm 17 kthime vullnetare janë regjistruar. Megjithatë, ai vlerësoi se fryma serbe mbetet e pathyeshme, duke u mbështetur në fitoren e Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale.

Gjuriç në OKB i bëri thirrje Kosovës të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke kujtuar se kjo nuk është kërkesë e Serbisë, por zotim i vetë Kosovës.

“Kurti po saboton këtë proces dhe po dëmton marrëveshjet dhe trashëgiminë e paqes të Presidentit Trump. Serbia nuk është pengesë – ne jemi pjesë e zgjidhjes”, tha Gjuriç.

Në këtë seancë të Këshillit të Sigurimit, Gjuriç tha se serbët dhe shqiptarët nuk janë të destinuar për të qenë armiq, ndonëse shteti i tij kreu gjenocid në Kosovë 26 vite më parë.

Gjuriq në përmbyllje të takimit për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i ka reaguar ministres në detyrë, të Kosovës Donika Gërvalla, e cila tha se Serbia ka dëshmuar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë.

Ai tha se presidenti i Serbisë asnjëherë nuk e ka dhënë ndonjë deklaratë të tillë.

Serbët dhe shqiptarët nuk janë të destinuar të jenë armiq. Pa marrë parasysh se sa i vështirë mund të jetë dialogu, dialogu është i vetmi opsion, dialogu është diçka që besojmë dhe dialogu duhet të jetë për një të ardhme më të mirë“, tha ai.

Ai përfundoi duke kërkuar nga Këshilli i Sigurimit dhe bashkësia ndërkombëtare që të “dënojnë shkeljet e të drejtave të serbëve” dhe të garantojnë “paqen dhe bashkëjetesën e vërtetë në Kosovë”.

Përkrahje të madhe për Kosovën dhanë edhe ndërkombëtarët, të cilët kërkuan ekstradimin e Milan Radoiçiqit. 

Zëvendëspërfaqësuesi Special i UNMIK-ut, Milbert Dongjoon Shin, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i rikthehen dialogut për zgjidhjen e çështjeve të mbetura.

Deri ka përmendur sulmet në Banjskë dhe në kanalin e Ibër-Lepencit, Shin ka bërë thirrje për masa efektive që çojnë në llogaridhënie.

“Kemi kaluar përvjetorin e dytë të incidentit në Banjskë. I bëjmë thirrje autoriteteve në Beograd e Prishtinë, të marrin masa efektive transparente, për të sjellë kryerësit e ngjarjes para drejtësisë. Duke përfshirë edhe bashkëpunimin përmes mekanizmave të krijuar tashmë. Llogaridhënia e plotë është e domosdoshme edhe për ngjarjen e vitit të kaluar në kanalin e Ibër–Lepencit. Jemi të brengosur sa i përket arrestimeve lidhur me shfaqjen e simboleve nacionale e fetare. Ritheksojmë nevojën për të respektuar kornizën ligjore që ekziston në Kosovë e të bëhet baraspeshimi i duhur midis lirisë së shprehjes e parandalimit të nxitjes së dhunës ndëretnike”, shtoi ai.

Ai ka folur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, teksa ka theksuar se shpreson që “në përputhje me vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese përçarjet politike do të tejkalohen”, ndërsa ka përsëritur shqetësimet rreth mbylljes së strukturave paralele në veri.

“Ritheksojmë brengën që bashkë me partnerët ndërkombëtarë kemi shprehur sa i përket ndikimit potencial të mbylljes së institucioneve të udhëhequra nga Serbia në kuptimin e qasjes në shëndetësi, arsim dhe kulturë. Autoritetet e Prishtinës kanë përmendur imperativa administrative ndaj këtyre masave dhe çështjet që janë komplekse. Është me rëndësi që autoritetet e Kosovës të angazhohen me të gjitha komunitetet para se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e përditshme të tyre”.

Ai theksoi rëndësinë e kthimit të serbëve në institucione të Kosovës. Përmendi edhe lirinë e mediave. Tha se mbetet nën presion. Ka përmendur se Asociacioni ka raportuar për sulme ndaj gazetarëve e po ashtu se transmetuesi publik po përballet me sfida ndaj pavarësisë së tij.

Që kriminelët e Banjskës të sillen para drejtësisë, sot në OKB ka kërkuar edhe përfaqësuesi i Francës, Jay Dharmadhikari.

Në fjalën e tij gjatë seancës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Dharmadhikari tha se për Francën është e papranueshme që të njëjtit të mbeten në liri.

“Është e papranueshme që kryesit e sulmit në Banjskë të mbesin në liri më shumë se dy vjet pas këtyre ngjarjeve. Është kritike që të gjithë kryesit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë”, deklaroi Jay Dharmadhikari.

Britania e Madhe ka sfiduar kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq duke i kërkuar ta dorëzojnë Milan Radoiçiqin ndërsa ka kërkuar shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë sa më shpejt.

Njohja, sipas përfaqësueses së Britanisë, është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit.

Në fjalimin e saj, ajo ka kërkuar nga Serbia që të dorëzojë kryeterroristin Milan Radoiçiq, si dhe ka shprehur shqetësim për sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, deklaroi ajo.

Në këtë seancë të OKB-së, përfaqësuesi i SHBA-së ka thënë se ka ardhur koha që të mbyllet UNMIK-u në Kosovë. Jeff Bartos ka thënë se takimet e UNMIK-ut janë të padobishme dhe se SHBA s’dëshiron që të ketë shpenzime për diçka të tillë.

“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMK-u nuk ka më rol në qeverisjen e Kosovës. Koha ka ardhur që të tërhiqet misioni. Z. Shin i çmojmë përpjekjet e UNMIK-ut për dialog por UNMIK-u është mision paqeruajtës pa paqeruajtës. Është koha të fillojë puna e transferimit të funksioneve nga UNMIK në agjenci më të përshtatshme. SHBA u bën thirrje shteteve anëtare për të mbyllur operacionet e saj. Ky tranzicion është i tepërt. Takimet për UNMIK-un janë të padobishme dhe kjo punë duhet të ndërpritet. Këto takime i dëmtojnë institucionet”, ka thënë ai.

“SHBA u bën thirrje shteteve anëtare të mbyllin operacionin e saj”, ka thënë Bartos tutje.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i shmangin veprimet eskaluese dhe të punojnë për njohjen përfundimtare.

“SHBA-të nxisin Kosovën dhe Serbinë të shmangin eskalimin dhe të ndërtojna paqe me qëllim final njohjen përfundimtare. Këto janë qëllimet e admirueshme që SHBA i mbështet”, ka deklaruar ai.

Mbylljen e UNMIK-ut e kërkoi edhe përfaqësuesja britanike, e cila tha se rishikimi strategjik i UNMIK-ut është i nevojshëm dhe është pritur shumë gjatë.

Të dy diplomatët nënvizuan rëndësinë e stabilitetit, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përfundimit të rolit të UNMIK-ut, duke i dërguar një mesazh të qartë për nevojën e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe forcimit të institucioneve të saj demokratike.

Me këtë kërkesë të përfaqësuesit të SHBA-së dhe asaj të Mbretërisë së Bashkuar për mbylljen e UNMIK-ut, është pajtuar edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Në adresimin e saj para Këshillit të Sigurimit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla deklaroi se “UNMIK-u duhet të mbyllet. Është një humbje e madhe parash të OKB-së. Nuk i shërben më asnjë qëllimi.”

Më tej Ministrja Gërvalla theksoi:

“Nëse UNMIK-u do të largohej nesër, asgjë nuk do të ndryshonte në Kosovë dhe për qytetarët e saj”. Ne kemi institucione demokratike, agjenci ndërkombëtare dhe organizata të OKB-së që po bëjnë punë të shkëlqyer,” u shpreh ministrja Gërvalla.

Ajo theksoi se raportet e njëanshme të UNMIK-ut nuk pasqyrojnë të vërtetën e zhvillimeve në terren, duke i injoruar faktet që dëshmojnë përparimin demokratik të Kosovës dhe përkushtimin e saj ndaj paqes dhe sundimit të ligjit.

Në fund, ministrja Gërvalla ritheksoi se Kosova po ecën me vendosmëri në rrugën e saj euroatlantike, ndërsa rajoni i Ballkanit do të gjejë paqen e plotë vetëm atëherë kur Serbia të heqë dorë nga ideologjitë e saj agresive dhe ekspansioniste.

Çështja e Kosovës vazhdon të jetë një temë e rregullt në agjendën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga përfundimi i konfliktit. Debatet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë forum shpesh pasqyrojnë tensionet aktuale politike, përplasjet për sovranitet dhe zhvillimet në veri të Kosovës. Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK), i themeluar pas luftës së vitit 1999, mbetet ende aktiv, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Kosova dhe disa shtete perëndimore për përfundimin e tij, duke e cilësuar atë si të tejkaluar dhe të panevojshëm.

Fjalimet e mbajtura nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në këtë seancë pasqyrojnë narrativat e kundërta që të dy shtetet paraqesin para komunitetit ndërkombëtar, ndërkohë që vendet anëtare të KS-së vazhdojnë të kenë qëndrime të ndara sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe të ardhmes së pranisë ndërkombëtare në vend. /Lajmi.net/ 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz