Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, nisi sot seancën e parë plenare, por jo sipas traditës parlamentare.
Deputeti më i vjetër në moshë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, refuzoi të hapte punimet, një vendim që u pasua edhe nga deputeti tjetër i opozitës, Tritan Shehu. Në këto rrethana, drejtimin e seancës e mori deputeti i Partisë Socialiste, Vasil Llajo, shkruan Euronews.al.
Seanca u zhvillua në prani të trupit diplomatik dhe krerëve të komuniteteve fetare në llozhat e Kuvendit. Në sallë ishin të pranishëm gjithashtu edhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, mes tyre Sokol Sadushi dhe Holta Zaçe.
Në fjalën e tij hapëse, Llajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike, duke theksuar se misioni i këtij Kuvendi është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ai tha se ndasitë politike janë pjesë e pandashme e jetës parlamentare, por qëllimi i përbashkët duhet të mbetet integrimi evropian.
Më tej, ai shpalli ngritjen e Sekretarisë së përkohshme të Kuvendit, e cila do të merret me verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve të rinj. Sekretaria përbëhet nga tre deputetet më të reja në moshë: Marjana Koceku, Zegjine Caushi dhe Klodiana Capja.
Seanca nuk kaloi pa tensione. Në momentin kur Llajo lexoi emrat e deputetëve, grupi parlamentar i Partisë Demokratike shpalosi disa pankarta me fytyrat e ministrave të kabinetit qeveritar dhe me mbishkrimin “Karteli 2030”, duke protestuar kundër mazhorancës.