Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Sipas një deklarate të publikuar nga Departamenti i Shtetit, Rubio dhe Vuçiq diskutuan për thellimin e partneritetit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, përfshirë nisjen e një dialogu strategjik dypalësh, i cili pritet të ndodhë në një të ardhme të afërt.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në EXPO 2027, e cila do të mbahet në Beograd.
Presidenti serb Vuçiq thuhet se ka falënderuar SHBA-në për, siç është shprehur ai, “kontributin në garantimin e sigurisë së popullit serb në Kosovë”, duke aluduar në praninë e trupave amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.
Ai e ka përshkruar këtë takim si “të rëndësishëm dhe domethënës”, duke theksuar se fokusi i bisedës ishte ekonomia, tregtia dhe çështjet e sigurisë.
“Diskutuam për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, trajtimin e tarifave amerikane, mundësinë e investimeve të reja, si dhe bashkëpunimin në sektorin e energjisë dhe teknologjisë. Po ashtu, shqyrtuam perspektivat që ofron mekanizmi i dialogut tonë strategjik”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon dhe theksoi mirënjohjen e tij për rolin e Shteteve të Bashkuara në, siç u shpreh ai, “mbrojtjen e sigurisë së popullit serb në Kosovë”, duke përmendur në veçanti praninë amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it.
“Në të njëjtën kohë, e vlerësojmë mbështetjen e SHBA-së në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që është një ndër objektivat strategjikë të Serbisë”, tha ai.
Vuçiq përfundoi deklaratën duke theksuar rëndësinë e “dialogut të hapur dhe të sinqertë, të bazuar në besim dhe respekt të ndërsjellë”, si mënyra më e mirë për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.