BallinaLajmeLajmet e FunditRubio dhe Lavrov takohen sot në Malajzi

Rubio dhe Lavrov takohen sot në Malajzi

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të zhvillojnë sot një takim në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të ASEAN-it në Kuala Lumpur. Lajmi është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Ministria e Jashtme e Rusisë raporton Reuters përcjell Dukagjini.

Ky do të jetë takimi i dytë ballë për ballë mes dy diplomatëve të lartë, pas atij në Arabinë Saudite në shkurt, kur u diskutuan përpjekjet për rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësitë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Vizita e Rubios në Azi, e para që nga marrja e detyrës, ka për qëllim rikonfirmimin e përkushtimit amerikan ndaj rajonit Indo-Paqësor, ndërkohë që ai mban edhe rolin e këshilltarit për sigurinë kombëtare të Presidentit Donald Trump.

Takimi me Lavrovin vjen në një kohë të tensionuar. Presidenti Trump, i cili këtë vit është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, ka shprehur zhgënjim ndaj homologut rus Vladimir Putin, pavarësisht tonit më pajtues që kishte mbajtur më herët në përpjekje për t’i dhënë fund luftës që nisi në vitin 2022.

Vetëm dy ditë më parë, Trump kritikoi deklaratat e Putinit për paqe si “të pakuptimta” dhe sinjalizoi mbështetjen për një projektligj që parasheh sanksione të reja të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë tarifa 500% për eksportet ruse të naftës, gazit dhe uraniumit.

Nga ana tjetër, Kremlini ka reaguar me qetësi ndaj kritikave të fundit, duke deklaruar se do të vazhdojë përpjekjet për të riparuar marrëdhëniet me Uashingtonin.

Ndërkohë, të mërkurën, Rusia ka sulmuar Ukrainën me një numër rekord prej 728 dronësh, një valë e re sulmesh që ka vënë në provë mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Po atë ditë, i dërguari i Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, është takuar në Romë me Presidentin Volodymyr Zelenskiy në një bisedë që Kievi e ka quajtur “substanciale”.

Takimi i sotëm Rubio-Lavrov shihet si një përpjekje për të ruajtur një kanal komunikimi diplomatik në një periudhë kritike për sigurinë globale.

- Advertisement -