Ka fiks 10 vjet që qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Infrastrukturës nisi një projekt por që duhen edhe disa vite që ai të përfundoj.
Bëhet fjalë për rrugën Prishtinë – Pejë më një gjatësi prej 84 kilometra që nuk po përfundon tash e një dekadë.
Ministrat e Infrastrukturës por edhe shefat e Qeverisë janë ndërruar por rruga ka mbetur në gjysmë.
Në fakt zgjerimi i rrugës që politikanët për punë nami e quajnë autostradë ka nisur në vitin 2008.
Veç vonesave që kanë shkaktuar shumë telashe për banorët e zonave ka kalon rruga, vonesat po i kushtojnë edhe miliona euro buxhetit të shtetit.
Në fakt miliona euro janë shpenzuar deri tani për rrugën e papërfunduar e edhe miliona tjerë duhet të sigurohen qe kësaj pune ti dilet në krye.
Për 43 kilometrat e kësaj rruge, e cila nisi më 2008, u shpenzuan plot 118 milionë euro, raporton Gazeta inFokus.
Sipas të dhënave të siguruara nga inFokus në ministrinë e Financave, më së shumti para u shpenzuan në vitin 2009.
33 milionë euro u shpenzuan atë vit, kurse më së paku u investuan në nëntë muajt e parë të këtij viti.
Më 2018 u shpenzuan vetëm 1 milion e 300 mijë euro edhe pse sipas premtimeve të ministrisë së Infrastrukturës, kjo rrugë do të përfundojë brenda dy viteve.
“Pjesa tjetër e kësaj autostrade, do të fillojë me punë brenda këtij viti dhe besojmë që e njëjta do të përmbyllet brenda dy viteve”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Infrastrukturës për Gazetën inFokus.
Buxheti për 32 kilometrat e mbetura kap shumën e 210 milionë eurove.
E ministri i Financave, Bedri Hamza garanton se këto para tashmë janë siguruar.
“E kemi marrë me shumë seriozitet për shkak të rëndësisë së madhe që ka ky projekt. Mjetet për këtë projekt janë të gatshme, pra janë siguruar nga Banka Evropiane për Investime, nga BERZH dhe nga burimet e tjera. Kushtet e kredisë përcaktohen kur marrëveshja ratifikohet në Kuvend dhe kur qeveria bën kërkesë në thesar për disbursim të mjeteve”, deklaroi Hamza.
Finalizimi i projektit shpresohet se do të kryhet me para të institucioneve financiare ndërkombëtare edhe në Ministrin e Infrastrukturës.
“Pjesa tjetër e kësaj autostrade, do të fillojë me punë brenda këtij viti dhe besojmë që e njejta do të përmbyllet brenda dy viteve. Kjo pjesë do të ndërtohet me kredinë nga BERZH, EIB dhe buxheti i Kosovës, rreth 210 milionë euro”, thotë për inFokus Argjend Zejnaj shef i kabinetit dhe këshilltar për media i ministrit Pal Lekaj.
Megjithatë sipas tij për koston totale është ende herët të flitet.
Kjo nënkupton se mund të shpenzohen edhe disa miliona të tjerë për t’i dalur në krye kësaj rruge./Gazeta inFokus