Parlamenti i Francës ka rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Francois Bayrou, pas nëntë muajsh në pushtet, pasi ekzekutivi i tij humbi mocionin e votëbesimit që ai thirri më 8 shtator.
Gjatë votimit në Asamblenë Kombëtare, 364 deputetë votuan për rrëzimin e Qeverisë, ndërkaq 194 ishin kundër.
“Në linjë me nenin 50 të Kushtetutës, kryeministri duhet të dorëzojë dorëheqjen e Qeverisë së tij”, tha kryetari i Parlamentit, Yael Braun-Pivet.
AFP-ja, duke u thirrur në burime, tha se Bayrou do t’i dorëzojë dorëheqjen e tij presidentit Emmanuel Macron të martën në mëngjes.
Bayrou është kryeministri i tretë që Franca ka pasur në 12 muaj.
Rrëzimi i Qeverisë pritet të shkaktojë edhe më shumë paqëndrueshmëri për ekonominë e dytë më të madhe të Bashkimit Evropian.
Bayrou, politikan centrist, 74 vjeç ishte emëruar nga presidenti Emmanuel Macron para më pak se nëntë muajsh.
Bayrou ka thënë se beson se shkurtimet janë të nevojshme për t’i frenuar deficitin dhe borxhet në rritje të shtetit francez.
Por, deputetët e opozitës u zotuan se do ta shfrytëzonin rastin për ta rrëzuar Bayroun dhe Qeverinë e tij pakicë të përbërë nga ministra centristë dhe djathtistë. Shkarkimi i tij do ta detyrojë Macronin ta nisë një tjetër kërkim të lodhshëm për ta gjetur zëvendësuesin e tij.
Asambleja Kombëtare, e cila ka 577 deputetë, i ndërpreu pushimet verore për ta mbajtur seancën e jashtëzakonshme që kërkoi Bayrou, e cila filloi në orën 15:00 të hënën.
Bayrou kishte nevojë për shumicë votash për, për të mbijetuar. Rrëzimi i Qeverisë së udhëhequr nga ai e fut Francën në një krizë të re.
Deputetët e ekstremit të djathtë dhe të majtë, të cilët para seancës thanë se do të votojnë kundër Qeverisë së Bayrout, kanë mbi 320 ulëse në Asamblenë Kombëtare, ndërsa centristët dhe aleatët konservatorë kanë 210 sosh.
Bayrou shprehu zhgënjimin të dielën duke thënë se kundërshtarët e hidhur në të dy skajet e spektrit politik janë bashkuar kundër tij.
“Ç’kuptim ka të rrëzohet Qeveria? Këto janë grupe politike që, jo vetëm nuk pajtohem për asgjë, por, edhe më keq, po zhvillojnë luftë të hapur civile kundër njëri-tjetrit”, tha ai në një intervistë për median online Brut.
Tani, Macroni do të detyrohet sërish të gjejë një pasues që do të punojë në të njëjtin mjedis të brishtë dhe do të përballet me të njëjtat telashe buxhetore që i kanë munduar si Bayroun, ashtu edhe paraardhësit e tij.
Edhe vetë Macroni është zotuar se do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit, por rrezikon të kthehet në një president pa ndikim në planin e brendshëm nëse paraliza politike vazhdon.
Sipas sistemit politik francez, kryeministri emërohet nga presidenti, i jep llogari Parlamentit dhe është përgjegjës për zbatimin e politikave të brendshme, veçanërisht atyre ekonomike.
Presidenti ka pushtet të madh mbi politikën e jashtme dhe çështjet evropiane, si dhe është komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Duke argumentuar se nevojiten shkurtime të mëdha për t’i rregulluar financat publike, Bayrou kishte propozuar një kufizim prej 44 miliardë eurosh në shpenzime në vitin 2026, pasi deficiti i Francës vitin e kaluar arriti në 5.8 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, pra shumë më i lartë se caku zyrtar i BE-së prej 3 për qind.
Franca përballet gjithashtu me një krizë të madhe borxhi. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2025, borxhi publik i Francës arriti në 3.346 trilionë euro, ose 114 për qind të PBB-së.
Plani i Bayrou, që përfshinte heqjen e dy festave zyrtare, ishte kritikuar ashpër nga rivalët e tij politikë./REL