Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për hipokrizi politike në raport me figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Përmes një postimi publik, Krasniqi ka kujtuar se Kurti në të kaluarën e kishte quajtur Rugovën “kolaboracionist”, ndërsa sot, sipas saj, flet në emër të tij për interesa politike.
“Kjo është hipokrizi e pastër politike. Nuk mund ta fyesh Rugovën për vite dhe sot ta përdorësh emrin e tij për hallin tënd politik”, ka shkruar Krasniqi.
Ajo ka theksuar se presidenti historik Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përfaqësojnë urtësi, maturi dhe orientim perëndimor, vlera që, sipas saj, Kurti i ka kundërshtuar vazhdimisht.
Sipas Krasniqit, përvetësimi i figurës së Rugovës nga Kurti, pas kritikave të vazhdueshme ndaj tij në të kaluarën, përbën fyerje jo vetëm për familjen Rugova, por edhe për historinë dhe qytetarët e Kosovës.


