Klinika e Gjinekologjisë në QKUK vazhdon të mbetet një nga institucionet më të rëndësishme shëndetësore në vend, për shkak të numrit të madh të pacientëve që trajton çdo vit. Vetëm gjatë vitit 2024, në Klinikën e Gjinekologjisë janë realizuar rreth 8 mijë lindje, një numër që është thuajse i njëjtë me vitin paraprak. Ndërsa gjatë këtij viti deri tani janë regjistruar mbi 6,200 lindje, çka dëshmon për besimin e madh që qytetarët kanë ndaj kësaj klinike.
E drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, në një intervistë për “Indeksonline”, ndau detaje mbi punën, sfidat dhe investimet e realizuara në këtë institucion.
Drejtori Ndrejaj thotë se gjatë këtyre viteve prej kur dhe e udhëheq këtë klinikë ka pasur dhe sfida, por lavdatat kanë qenë më të shumta se sa ankesat. Ndërkaq inkurajon pacientët që t’i paraqesin ato në mënyrë zyrtare.
“Që nga koha kur kam marrë drejtimin e klinikës, kam marrë më shumë lavdata se sa ankesa. Kam kërkuar që çdo ankesë të bëhet me shkrim dhe të jetë e argumentuar. Ne nuk i shmangemi përgjegjësisë, përkundrazi, çdo rast shqyrtohet me seriozitet maksimal”, tha ai.
Ndrejaj thotë se Gjinekologjia në QKUK mbetet qendër referente për gjithë Kosovën dhe jo rrallë herë pranon dhe pacientë me gjendje të rëndë dhe raste të ndërlikuara që nuk mund të menaxhohen në klinika private apo spitale rajonale.
“Ka shumë raste që na vijnë të komplikuara nga klinikat private, për mungesë të stafit, kushteve për trajtim intensiv apo mjetesh të nevojshme për ndërhyrje urgjente. Ne i trajtojmë me kujdes të veçantë dhe profesionalizëm të lartë”, thotë Ndrejaj.
Ndrejaj thotë se në tre vjetët e fundit, Klinika ka përjetuar një transformim të rëndësishëm në aspektin infrastrukturor. Dhomat me nga tetë pacientë janë reduktuar në dhoma me nga dy pacientë, të pajisura me nyje sanitare moderne, përfshirë banjo brenda dhomës.
“Kemi investuar në kushte më të mira për pacientet. Po ashtu, kemi shtuar edhe disa shërbime të reja, në përputhje me standardet moderne të trajtimit”, thotë ai.
Një nga sfidat kryesore që përmend drejtori Ndrejaj është mungesa e infermierëve.
“Në disa reparte, ku trajtohen deri në 40 pacientë, ka vetëm 2-3 infermierë në një ndrrim. Ne kërkojmë çdo vit shtim të stafit, por kufizimet buxhetore janë pengesë e vazhdueshme. Megjithatë, mjekë kemi mjaftueshëm dhe profesionalizmi nuk mungon”, thotë ai.
Sipas drejtorit, klinika ka një staf me përvojë të gjatë dhe përgatitje të lartë profesionale.
“Në aspektin profesional, ofrojmë trajtim në nivelin më të lartë. Çdo paciente trajtohet me respekt dhe përkushtim”, tha ai.
Ai pranon se në të kaluarën ka pasur sfida në aspektin e komunikimit të stafit me pacientët, por se gjendja është përmirësuar ndjeshëm.
“Kemi mbajtur trajnime për infermierët për sjellje më të mirë me pacientët. Kushtet më të mira dhe trajtimi më human kanë bërë që edhe pakënaqësitë të zvogëlohen”, thotë ai.
Ndrejaj thekson se pacientet janë të mirëseardhura të paraqesin çdo ankesë, por në mënyrë institucionale.
“Kemi kuti ankesash në hyrje të klinikës. Çdo ankesë që vjen dhe është e argumentuar trajtohet nga komisioni përkatës”, thotë ai.
Megjithëse herë pas here ka ankesa për trajtim, Ndrejaj përçoi një mesazh të qartë për të gjitha gratë dhe vajzat të cilat zgjedhin gjinekologjinë për t’u trajtuar.
Sipas tij trajtimi i pacientëve është në nivelin më të lartë dhe se për këtë s’ka vend për dyshim. Ndërsa pohon se klinika që ai udhëheq tash e sa vjet, është e qytetarëve dhe se çdo grua duhet ta ndihet e sigurt si në shtëpinë e saj.
“Klinika e Gjinekologjisë është dera e parë për kujdesin tuaj shëndetësor. Ne jemi këtu për t’ju shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim. Çdo herë Klinika Gjinekologike do të jetë qender referente dhe qender kryesor në shërbim të qytearëve dhe pacientëve pa dallim. Klinika është e të gjithëve. Trajtimi është në nivelin më të lartë. Nuk mund asnjë pacient as të dyshoj dhe as të anashkalojë Klinikën Gjinekologjike, sepse nuk kemi zgjidhje tjetër më të mirë në Kosovë. Kështu që mos të hezitojnë dhe të mos shkaktojnë panik mediat kot, se pacientet e kanë këtë derë. Kjo është klinika e tyre dhe pacienti këtu do të ndihet sikur të jetë në shtëpinë e vet”, thotë Ndrejaj. /Indeksonline/