Këngëtari Jetmir Hyseni, nga fshati Bibaj në Ferizaj, është shëruar plotësisht nga virusi COVID-19.
31-vjeçari në një rrëfim për “IndeksOnline” ka treguar për sfidën që e kaloi me sukses.
Ai pas qëndrimit në Gjermani ishte futur drejt në karantinë, me ç’rast me 20 mars rezultoi pozitiv me koronavirus.
Hyseni pas shërimit ka thënë se është i gatshëm të dhurojë edhe plazëm e tij, në mënyrë që të japë kontributin të kalojë bota këtë gjendje sa më shpejt.
Këngëtari tha se COVID-19 nuk është një grip aq i lehtë, sikur po mendojnë njerëzit.
“Kam pasur vështirësi të mëdha, si temperaturë, ethe dhe dhimbje të kokës e të muskujve, të papërshkrueshme”.
Pasi që rezutati doli pozitiv dhe simptomat parapakisht i kisha ndier, u përgatita edhe psiqikisht që të kaloj këtë sfidë pa bërë panik dhe të luftoj me gripin.
Unë do të komunikoj me mjekët, sipas rekomandimeve të tyre, do të dhuroj plazmën me shumë knaqësi që të jap sado pak kontributin tim që të dalim nga kjo gjendje, e cila ka kapluar botën”, ka thënë ai.
Hyseni ka treguar se në Repartin e Klinikës Infektive kanë pasur një përkujdesje të madhe nga stafi shëndetësor.
Ai ka thënë se për shtatë ditë radhazi ka marrë terapinë dy herë në ditë për të luftuar koronavirusin.
Këngëtari Hyseni në ditën e 20-të dhe të 21-të të qëndrimit në Klinikën Infektive ka rezultuar negativ, ku është konsideruar i shëruar.
“Lutem gjithë kohën që të mos ketë raste të reja, rasteve që janë duke u shëruar u uroj shëndet më të shpejtë, pasi që vetë kam kaluar në një situatë që janë ata momentalisht. Lus qytetarët që të kenë kujdes të aplikojnë rregullat që ka vendosur shteti dhe pa dyshim që kemi me kaluar ketë sfidë në mënyrën më të lehtë dhe të shpejtë, vetëm kujdes!”, ka thënë ai.
31-vjeçari, i cili tanimë është prind, pas shërimit do të qëndrojë në vetizolim 14 ditë, sipas rekomandimeve të mjekëve.
Deri më tani në Kosovë janë të prekur me koronavirus 423 persona, të shëruar 71 dhe 9 viktima.