Rrëfimi i gazetares ukrainase në Prishtinë: Të afërmit e mi në Rusi nuk më besonin

Gazetarja ukrainase, Lyudmila Makey, e cila është strehuar në Prishtinë, thotë se propaganda ruse ka manipuluar edhe të afërmit e saj që i ka në Rusi. Thotë se ata besojnë se ukrainasit e kanë sulmuar “vetveten”
Nga zyrat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, në një konferencë për media, ka folur Lyudmila Makey, gazetarja e parë nga Ukraina, që erdhi të dielën për strehim në Kosovë.
Duke rrëfyer për gjendjen në vendin e saj, ka treguar një rast me të afërmit e saj në Rusi, për të ilustruar propagandën që po e bën regjimi i Vladimir Putinit atje.
“Paradoksi ishte se kur më kanë thirrur të afërmit e mi që jetojnë në Rusi se si jeni ju, unë kam treguar realitetin, se po ndodhin bombardimet dhe se gjithçka është e tmerrshme. Por, të afërmit e mi në Rusi, të cilit unë i doja dhe kisha gjithmonë kontakt me ta, nuk më besonin mua”, ka thënë ajo, transmeton Gazeta Express.
“Ata më thonin se jeni duke e sulmuar vetveten. Sepse ata e kanë dëgjuar këtë nga televizioni publik”.

Lexo edheBombarduesit bërthamorë të Putinit fluturojnë skaj Ukrainës
“Në Rusi, lufta në Ukrainë quhet ‘operacion special’”, thotë gazetarja.
Makey thotë se Putin sulmon gazetarët dhe e do eliminimin e tyre, sepse ai nuk do që të shpërndahet e vërteta. /Express/














