“Më kanë gjuajt, jam plagos”, këto kanë qenë fjalët e fundit të Behram Ibishit, 54 vjeçar nga Fushë Kosova. Ai mbrëmë u vra me një plumb nga persona ende të panjohur derisa ishte në vendin e tij të punës. 54-vjeçari rreth orës 02:00 pas mesnate ndërroi jetë derisa ishte duke bërë rojë në një kompani publiko-private në Fushë Kosovë. Ende nuk dihet se kush e kreu këtë vrasje. Nga policia thonë se po i vazhdojnë hetimet dhe se ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje. Gazeta Express ju sjellë rrëfimin nga familja e të vrarit.
Kishte 20 vite që punonte si rojë në një kompani private të Fushë Kosovës. Behram Ibishi disa herë përgjatë këtyre viteve punë ishte përballur me hajnat. Por ballafaqimi i fundit me ta doli të jetë fatal.

Në vendin ku ai punonte, persona të maskuar mbrëmë e gjuajtën me armë zjarri duke e goditur kështu me një plumb në pjesën mes zemrës dhe mushkërive.
54-vjecari, pavarësisht plagëve të marra kishte arritur që ta thërras policinë. “Më kanë gjujtë, jam plagosë”, u kishte thënë policisë përmes telefonit. Ende nuk janë zbuluar vrasësit e punëtorit.
Policia e Kosovës i ka nisur hetimet. Thonë se nuk i dinë ende arsyet e kësaj vrasjeje.
“…Një person B.I 54 vjeç, nga persona të dyshuar është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti pas transportimit ne QKUK ka ndërruar jetë. Trupi i pajetë i viktimë me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Gazeta Express, sot gjatë ditës ka qëndruar në familjen e viktimës. Ata kanë shpjeguar rreth lajmit për vrasjen e familjarit të tyre.Familja kishte hapur të pamën dhe po priste persona të shumtë për ngushëllime. Vëllai i viktimës, tha se ky nuk është sulmi i parë i cili po i bëhet vëllait të tij në vendin e punës.
Duke mos e ditur arsyen e vrasjes të së vëllait, ai thotë se edhe disa herë të tjera Behrami në vendin e njëjtë të punës është ballafaquar me hajnat.
“Lajmin për vdekjen e kemi marrë mbrëmë rreth orës 03:00. Ka punu rojë në objektin e ‘Lesnës’ që 20 vite. Na nuk e dimë rastin se qysh ka ndodhë. Ne e dimë se këtu e kemi përcjellë kur ka shku në punë në orës 16:00, Probleme nuk kemi pas e as nuk kemi si familje me askënd”, rrëfen për rastin vëllai i viktimës i cili thotë se do të kërkojnë drejtësi në organet përgjegjëse.

Ekipi i gazetës ka qëndruar edhe në kompaninë ku kishte punuar Behrami.
Kolegët e kanë përshkruar atë si njeri punëtor dhe jo problematik. Thonë se që 20 vite disa herë ishte ballafaquar me tentim vjedhje të ndryshme nga persona të panjohur.
“Ka qenë njeri i urtë dhe shumë punëtor. Asnjëherë, kurrë problem më askënd nuk ka pas. Të gjithë i ka respektu. Po që mbrëmë i qëlloi fati i keq”, thotë njëri nga kolegët e tashmë të ndjerit. Ata deklarojnë se gjatë punës në kompaninë private edhe vet disa herë janë sulmuar nga hajnat.
Varrimi i 54 vjeçarit, Behram Ibishi do të bëhet sot në orët e pasdites. Ai ishte i martuar dhe la pas 5 fëmijë, një djalë e 4 vajza.
Në vendin e tij të punës po ashtu para disa ditëve është vrarë me armë zjarri dhe një rojë tjetër i një marketi në Krushë të Vogël të komunës së Prizrenit.
Ish-luftëtari i UÇK’së, Milit Shehu në mëngjesit e 27 korrikut nga persona ende të panjohur për policinë ishte vra me 5 plumba./GazetaExpress/