Ronaldinho mbërrin në Itali, sonte klubi i ri i bën prezantim spektakolar në plazh

Ronaldinho ka mbërritur në Romagna të Italisë. Ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit zbarkoi në orën 11:50 në aeroportin “Ridolfi” të Forlìt, me një fluturim privat nga Milano Linate, përpara se të udhëtonte drejt Ravennas së bashku me stafin e tij.
Në aeroport e priti një delegacion i Ravennas, ndërsa rreth 30 tifozë ishin mbledhur për ta përshëndetur legjendën braziliane.
Ronaldinho u ndal për disa fotografi dhe autografe me fansat. Por momenti i madh do të vijë sonte.
Ronaldinho do të prezantohet zyrtarisht si lojtari i ri i Ravennas në Marina di Ravenna, në një event që pritet të shndërrohet në një spektakël të vërtetë.
Ceremonia do të zhvillohet nga ora 20:30 deri në 22:00, në plazhin pranë digës së Jugut, dhe organizatorët presin që të marrin pjesë rreth 5,000 deri në 6,000 tifozë.
Për Ravennan, ky nuk do të jetë thjesht një prezantim i skuadrës.
Klubi e ka përgatitur një mbrëmje të veçantë për ta festuar ardhjen e njërit prej emrave më të mëdhenj në historinë e futbollit.
Ronaldinho do të qëndrojë edhe nesër në Romagna, ku do të jetë i ftuar në “Space” në Riccione.

Lexo edheDrita e kërkon fazën e ligës në Conference League
Ravenna kishte njoftuar më 23 qershor për transferimin e bujshëm të Ronaldinhos.
Legjenda braziliane është bërë pjesë e Ravenna FC si lojtar, në një lëvizje që konsiderohet ndër më të rëndësishmet në historinë e klubit.
Por rikthimi i Ronaldinhos në futbollin profesionist nuk është menduar thjesht si një operacion simbolik.
Braziliani e ka një objektiv të qartë: ta shënojë golin e tij të fundit si profesionist me fanellën e Ravennas, duke e shtuar një kapitull të fundit dhe shumë personal në një karrierë të jashtëzakonshme.
Ardhja e tij e ka vendosur Ravennan në qendër të vëmendjes së futbollit botëror dhe i ka rritur ndjeshëm pritshmëritë rreth projektit të klubit italian.
Tani, të gjithë sytë janë te Marina di Ravenna, ku sonte Ronaldinho do t’i përshëndesë për herë të parë tifozët e rinj dhe do ta nisë zyrtarisht kapitullin e tij të ri në Itali. /Gazeta Express














