back to top
Wednesday, October 22, 2025
BallinaLajmeRizvanolli: Sektori i energjisë, një nga sektorët më strategjik për zhvillimin ekonomik...

Rizvanolli: Sektori i energjisë, një nga sektorët më strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit

Të ngjajshme

Emir Sahiti po rikthehet sërish në Kroaci, nuk është i kënaqur te Hamburgu

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Emir Sahiti mund të...

Gjenden dallimet në efektet e ndryshme që krijojnë antidepresantët

Efektet anësore të antidepresantëve të ndryshëm janë rankuar për...

Hakerët rrezik për pacientët: Regjistrohet vdekja e parë për shkak të një sulmi kibernetik

Autoritetet britanike kanë regjistruar një rast vdekjeje që besohet...

Konferenca e Tretë e Komitetit Kombëtar të “CIGRE Kosovo” ka nisur sot punimet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet shtetërore, si ministren në detyrë të ekonomisë, Artane Rizvanolli, operatorët energjetik KEDS dhe KEK, komunitetin akademik dhe ekspertë ndërkombëtarë të sektorit të energjisë.

Në hapje të konferencës u theksua rëndësia e tranzicionit të drejtë energjetik dhe nevoja për modernizimin e rrjetit elektrik të vendit, në përputhje me standardet evropiane. Përfaqësues të qeverisë dhe institucioneve energjetike theksuan se bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik, privat dhe akademik mbetet faktor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit energjetik të Kosovës.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se konferenca sjell bashkë akterë të fushave të ndryshme që ndihmojnë në zhvillimin e rrjetit energjetik më të avancuar në Kosovë.

“Konferenca si kjo sot janë më shumë se sa një konferencë, janë mundësi që të mbledhim së bashku akademikët, profesionistët, industrinë, sektorin publik e privat, politikëbërësit për të mësuar nga njëri-tjetri e për të ndarë përvojat më të mira që kemi me njëri-tjetrin në të mirë të zhvillimit të sektorit më tej. Sigurisht që sektori i energjisë është një nga sektorët më strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit mirëpo padyshim që ka edhe një aspekt të pakontestueshëm të sigurisë kombëtare të cilin e shohim sidomos në kohëra të vështira si këto të viteve të fundit. Ne përgjatë këtyre viteve të kaluara kemi zhvilluar një strategji të energjisë dhe kemi punuar drejtë një sektori të energjisë i cili e ka rritjen e sigurisë së furnizimit, diversifikimin e burimeve, rritjen e efiçiencës, përmirësimin e fleksibilitetit në qendër të saj”, tha ajo.

Kurse kryesuesja e “CIGRE Kosova”, Pranvera Dobruna Kryeziu u shpreh se përveç konferencës, CIGRE mban edhe simpoziume në të cilat shfaqet puna e ndryshimit të politikave të cilat janë rekomanduar nga konferenca, për të parë se sa ka pasur ndikim konferencë në sektorin e energjisë në Kosovë.

“Ne çdo dy vite mbajmë konferenca e çdo vit mbajmë një simpozium ku ne i masim të arriturat pasi që pas çdo konference, simpoziumi, ne i dërgojmë edhe rekomandimet siç i kërkoj edhe ministrja, që rekomandimet të inkorporohen në politikat që shkojnë në drejtim të sigurisë energjetike që është edhe siguri nacionale”, tha ajo.

Organizatori i konferencës, Rexhep Selimi, tha se konferenca është ngjarja më e madhe në sektorin e energjisë në Kosovë me mbi 200 pjesëmarrës.

“Sot po mbajmë konferencën e tretë të komitetit nacional, është ngjarja më e madhe në sektorin e energjisë që mbahet çdo dy vite në Kosovë. Sivjet po e mbajmë konferencën e tretë e cila ka grumbulluar mbi 200 pjesëmarrës prezent që janë të regjistruar. Është konferencë që kërkon organizim shumë të madh dhe mbi 9 muaj është kohëzgjatja që fillon përgatitja, do të thotë që nga shkurti ka filluar përgatitja për me ardh deri tek dita e sotme. Ideja është që në konferencat e ardhshme, në vitet e ardhshme, në bashkëpunimet që kemi me kolegë nga Shqipëria të zgjerohemi me kompani të gjenerimit në mënyrë që të arrijmë të bëjmë një CIGRE të përbashkët që të shtrihemi edhe në shtetin shqiptar sepse atje ju mungon një organizim i tillë”, tha ai.

Konferenca, e cila do të zgjasë deri më 24 tetor, përfshin prezantime shkencore dhe teknike, diskutime tematike mbi integrimin e burimeve të ripërtëritshme, si dhe ekspozita të teknologjive të reja në fushën e energjisë. Gjatë tre ditëve të punimeve pritet të paraqiten rreth 50 punime profesionale nga vendi dhe rajoni. Ky aktivitet synon shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillimin e sistemeve elektrike moderne.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz