Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përmbyllur vizitën zyrtare në Uashington DC me një sërë takimesh në institucionet amerikane, ku në fokus ishte bashkëpunimi energjetik dhe zhvillimi i projekteve strategjike në Kosovë.
Siç tregohet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë, gjatë qëndrimit në kryeqytetin amerikan, Rizvanolli zhvilloi takime në Departamenti i Energjisë i SHBA-së dhe në Departamenti i Shtetit i SHBA-së, ku u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe minierave.
Në takimin me ndihmëssekretarin në detyrë për Çështje Ndërkombëtare në Departamentin e Energjisë, Tommy Joyce, u shqyrtuan opsionet konkrete të bashkëpunimit ndërqeveritar dhe me kompani amerikane në projekte energjetike në Kosovë. Një nga temat kryesore ishte teknologjia e gazifikimit të thëngjillit, për të cilën pala amerikane ka përvojë dhe rezultate të dëshmuara.
Ministrja theksoi se zhvillimet në tregjet energjetike evropiane ndikojnë drejtpërdrejt edhe në Kosovë, pavarësisht mungesës së infrastrukturës së gazit në vend. Ajo shprehu përkrahjen për përpjekjet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar pavarësimin e Evropës nga gazi rus, duke nënvizuar se rritja e sigurisë energjetike në kontinent përkthehet në stabilitet më të madh edhe për Kosovën përmes çmimeve të importit dhe furnizimit.
Ndërkaq, në takimin me zëvendësndihmëssekretarin në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit, Daniel Lawton, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit bilateral në sektorë me rëndësi strategjike, si energjia dhe minierat.