BallinaLajmeRefuzimi i Kurtit për dëshmi, Koci: Prokuroria duhet të veprojë me vendosmëri...

Refuzimi i Kurtit për dëshmi, Koci: Prokuroria duhet të veprojë me vendosmëri pa lejuar të sfidohet

Avokati kosovar, Arianit Koci, ka thënë se Prokuroria po tregohet e dobët përballë refuzimit që po i bën tash e sa muaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Koci ka thënë se kritikat e Kurtit për Prokurorinë po dalin të jenë të bazuara, meqë një dëshmitar po e sfidon të gjithë sistemin e drejtësisë, ndërkohë që vetë Prokuroria po dështon të zbatojë ligjin.

“Nëse për çdo dëshmitar humbet muaj të tërë, atëherë hetimet nuk do të përfundojnë kurrë”, ka thënë Koci.

Avokati kosovar ka thënë se duhet të vlejë për të gjithë parimi i barazisë para ligjit dhe ka shtuar se nëse do të bëhej fjalë për ndonjë dëshmitar të thjeshtë që do të sillej sikurse Kurti, Prokuroria do të kishte reaguar menjëherë.

“Për më tepër, fakti që Kurti publikisht ka deklaruar para tre muajsh se nuk do të paraqitet, e bën të qartë se prokuroria ka pasur kohë të mjaftueshme për të marrë masa, por ka dështuar ta bëjë këtë. Parimi i barazisë para ligjit është i qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë duhet t’i nënshtrohen drejtësisë në mënyrë të barabartë. Nëse një dëshmitar i thjeshtë do të sillej në këtë mënyrë, prokuroria do të kishte reaguar menjëherë”, ka thënë Koci.

“Drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pavarësi, duke mos lejuar asnjë individ të sfidojë funksionimin e saj. Çdo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa e forcon perceptimin e dobësisë së institucioneve të drejtësisë”, ka përfunduar ai.

- Advertisement -