back to top
Monday, September 8, 2025
BallinaOpinioneReformimi i idesë konservatore në Kosovë!

Reformimi i idesë konservatore në Kosovë!

Të ngjajshme

 

Shkruan Abdullah Klinaku
Konservatorizmi si ideologji sociale, ekonomike dhe politike gjatë rrugëtimit ka pësuar ndryshime varësisht nga periudha historike, kultura ku është kultivuar apo rrethanat e ndryshme politike. Megjithatë disa parime të kësaj ideje kanë mbetur dhe vazhdojnë të mbesin të pa ndryshueshme dhe diferenciale prej ideologjive të tjera. Kosnervatorizmi në politik në fakt është petku i të djathtëve si anti-pod i të majtës. Ndikimi i kësaj ideje shtrihet në rrafshin politik, social dhe ekonomik. Konservatorizmi synon besimi në Zot, shtetin e fort, tregun e lirë, familjen e qëndrueshme, ruajtjen e traditës së mirë, ndryshimin evolutiv dhe vlerat hyjnore. Edhe pse sipas disave është zbehur shumë dallimi mes së djathtës konservatore dhe së majtës liberale, si rezultat i dominimit të interesit ekonomik ky dallim ekziston akoma. Ish – Kryeministri italian Monti, në zgjedhjet e 2013 pati deklaruar se dallimi midis së djathtës dhe së majtës është zhdukur. Ndërsa si përgjigjeje kundër kësaj pati reaguar sociologu Gidens, në gazetën “La Republica (janar 2013)” se e djathta dhe e majta ekzistojnë ende. Madje partitë dhe lëvizjet konservatore kanë një ngritje të vazhdueshme në periudhën e fundit. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Turqi) dhe Partia konservatore (Britani) tashmë kanë vite në pushtet si parti konservatore njëra e re e tjetra tashmë parti tradicionale. Partia konservatore HDZ, në Kroaci, shënoi fitore në zgjedhje (2016), partia konservatore në Bullgari po ashtu (2013), Partia “Ligji dhe Drejtësia” Poloni (2015) në përgjithësi edhe në Parlamentin evropian prej 754 deputetë nga 27 vende të BE-së, 270, përkatësisht 35.8% përbëhet nga politikanët e partive të qendrës së djathë si parti konservatore.

Platforma politike që buron prej idesë konservatore ka mbështetje të fuqishme në shumë vende evropiane dhe botërore. Kosovës një platformë e tillë politike mendoj që i duhet jashtëzakonisht shumë edhe për faktin e periudhës kohore tranzicionale që ka kaluar dhe vazhdon akoma të përpëlitet për ta marrë orientimin e duhur vendi ynë. Shqiptarët e vendit tonë, prej pas luftës e sot përballen me probleme të mëdha në arsim, shëndetësi, punësim, zhvillim biznesi, jo stabilitet financiar e juridik, sistem të ndryshëm të vlerave që vijnë e që në fakt janë më shumë anti-vlera, korrupsionin, mashtrimin, manipulimin, largimin nga vlerat kulturore e tradicionale, zbehjen e vlerave kombëtare e fetare e të gjitha këto e kanë kompleksuar jashtëzakonisht shumë orientimin tonë si komb. Për këtë fakt në Kosovë ka qenë shumë e nevojshme zhvillimi i platformës politike konservatore. Kjo përpjekje për ndërtimin e një koncepti politik që ndërtohet mbi këto vlera ndërlidhet me periudhën e rilindësve tonë dhe me patriotët e shquar të lëvizjes kombëtare gjatë historisë me theks të posaçëm gjatë viteve të ’20 dhe ’40 në krye me Mit’hat Frashërin që njihet edhe politikani dhe intelektuali që hodhi idetë e konservatorizmit modern te shqiptarët.

Në Kosovën e pas luftës si parti konservatore e qendrës së djathtë u formua Partia e Drejtësisë. Kjo parti prej formimit të saj ka pas përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, përjashtimit në mandatin politik 2007-2010, ku nuk mundi të kaloi pragun zgjedhor prej 5%. Ndërsa rritjen e theksuar dhe përfaqësim legjislativ dhe ekzekutiv kishte në mandatin 2010-2014, ku u përfaqësua me 3 deputetë dhe 1 ministër. Kjo fazë e suksesshme në përfaqësim ishte edhe faza kur në fakt në PD nisen problemet e brendshme. Gjatë kësaj kohe, respektivisht 2009-2015 prej PD-së kanë dal edhe 4 parti apo lëvizje të tjera politike. Partia Konservatore, Partia Fjala, Lëvizja për Zhvillim e Drejtësi dhe LISBA. Kjo ndarje e platformës politike konservatore nga 1 parti në 5, fatkeqësisht është manifestim i fjalës së urtë popullore “pikë e pesë”. Kjo përçarje aq e thellë e cenoi shumë rënd profilin konservator në Kosovë. Madje sipas ambientit politik në të cilën po jetojmë çdo ditë, te votuesit ka lënë një shije shumë të keqe. Partia e Drejtësisë, si prijatare e këtij koncepti politik në periudhën e pas luftës në Kosovë, ka qenë e domosdoshme të jetë parti shembull e vlerave kombëtare, tradicionale, kulturore, fetare e profesionale. PD në fakt ka qenë e domosdoshme dhe ne si pjesë aktive e saj të çojmë mesazh unifikimi, bashkimi, përparimin, morali e suksesi. Ndërsa PD ka dërguar mesazh përçarje, egoizmi, materializmi e në fund edhe mungesë profesionalizmi e moraliteti. Partitë e dal prej PD janë më shumë parti që burojnë prej motiveve personale dhe inateske se sa që kanë avancuar diçka në platfromë apo në metodë. Kur i dëgjoj duke ligjëruar krerët e partive respektive që kanë dal prej PD-së, më ngjason në ligjërimin e njëjtë sikur se ai që kam dëgjuar sa kanë qenë brenda PD-së. Madje edhe këtë kohë PD po kalon në një fazë të ndjeshme politike duke pas dy kryetar një të zgjedhur e një të pa lëkundur nga pozita! Ndërsa partitë e tjera të këtij profili janë në fazën e ndjesisë ekzistenciale por disa edhe përfundimtare.

Konservatorizmi në Kosovë, ka lajthitur prej një platforme politike e tipit ideologjik që përfshin gjithë sistemin shtetëror në një lëvizje politike të tipit të interesave të veçanta. Kjo ka ndodhur si rezultat i nevojës për shfrytëzimin e emocionalitetit të ndjesisë fetare me qëllim të arritjes së interesit politik. Prej krejt programit politik që ka përmbajtje gjithëpërfshirëse ne kemi promovuar vetëm segmentet e caktuara të elementit fetar përmes së cilës jemi bërë të njohur. Kjo mënyrë e punës e ka rrënuar platformën politike konservatore nga gjithëpërfshirëse në parciale. Madje edhe ky parcializim nuk ka sjellë suksese për shkak të pa mundësisë për realizimin e objektivave të përcaktuara.

Konservatorizmi si ideologji është e nevojshme për vendin, shoqërinë dhe shtetin tonë. Kjo nevojë duhet të përcillet me nj reformë të thellë te partitë që thërrasin në këtë projekt politik. Kjo reformë nuk përmbush nevojat as minimale nëse nuk sjell bashkimin dhe unifikimin e tyre. Një ide e tillë e artikuluar mirë, e formësuar drejtë dhe e plotësuar si alternativ politike do të ishte zgjidhja më e mirë e qytetarëve të vendit tonë. Një koncept i tillë, me kuadro të mira do të ishte ideja më e drejtë shtet formuese, platforma më e suksesshme ekonomike, programi më i drejtë social, mburoja më e sigurt për vlerat tona kombëtare, kulturore e fetare dhe rruga më e mirë e integrimit ndër etnik, ndër- kombëtar dhe euroatlantik.

 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz