Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku një i ri 27-vjeçar humbi jetën në rrethana të dyshimta, për të cilat dyshohet se kanë ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë.
Osmani ka kërkuar urgjentisht transparencë të plotë, hetim të pavarur dhe profesional të rastit, si dhe përgjegjësi institucionale për çfarëdo shkeljeje të ligjit.
“Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis. Të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin,” thuhet në reagimin e Presidentes.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinion publik dhe është bërë thirrje për hetim të menjëhershëm dhe të gjithanshëm.