Si shumë shtete të botës edhe Kosova tashmë është prekur nga Koronavirusi, duke bërë që tri qytete të izolohen, me këtë rast qytetarët po kanë problem të gjejnë miell, por edhe nëse gjejnë në shumicën e rasteve çmimet kanë shënuar ngritje, poashtu ngritje çmimesh vërehet edhe në barnatore, shkruan Drenica Press.
Lidhur me këto raste ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ku ai duke ngritur shqetësimet e qytetarëve ka bërë një sërë pyetjesh drejtuar Qverisë Kurti dhe Minsitrit të Shëndetësisë, Vitia.
Më poshtë e keni reagimin e plotë të deputetit Lushtaku:
“Të dashur qytetarë! Vendi ynë po përballet me virusin Covid-19, i njohur ndryshe si Koronavirus. Panik nuk duhet të krijojmë në asnjë mënyrë, megjithatë duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe t’i përmbahemi rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
Gjithashtu, falënderim dhe mirënjohje shprehim për shërbyesit shëndetësor, të cilët po angazhohen maksimalisht për tejkalimin e kësaj gjendje.
E nderuar Qeveri,
I nderuar ministër, Arben Vitia
Shumë qytetarë po ankohen se nuk po gjejnë produkte të caktuara siç është mielli. Poashtu, bizneset të cilat janë mbyllur për shkak të shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore do të kenë humbje të mëdha. Ka biznese të cilat edhe pse nuk punojnë, paguajnë qira dhe punëtorë. Si Qeveri a keni zgjidhje për këto çështje?
A do të marrin paga punëtorët e sektorit privat, të cilët nuk punojnë gjatë kësaj kohe?
Në disa barnatore janë ngritur çmimet e maskave, dezinfektuesëve, dorëzave dhe pajisjeve tjera. Çfarë po bën Qeveria për ta ndaluar ngritjen e çmimeve?
Për fund, vlerësoj se personeli mjekësor duhet të stimulohet me pagesë shtesë për kontributin e madh që po e japin për mposhtjen e Koronavirusit.
E lusim Zotin që Kosova dhe e gjithë Bota ta kalojë shpejt këtë pandemi!”/DRENICA PRESS/