Shkencëtarët thonë se katër miliardë njerëz, pothuajse gjysma e popullsisë së botës, kanë përjetuar “të paktën 30 ditë” me nxehtësi ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike nga maji 2024 deri në maj 2025.
Nxehtësia ekstreme ka shkaktuar sëmundje, vdekje, humbje të të korrave dhe mbingarkesë të sistemeve energjetike dhe shëndetësore të tëra shteteve, sipas një raporti të disa organizatave, përfshirë edhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.
“Edhe pse përmbytjet dhe uraganet shpesh dominojnë në lajme, nxehtësia është ndoshta fenomeni ekstrem më vdekjeprurës”, thuhet në raport. Në pothuajse të gjitha vendet e botës, numri i ditëve me nxehtësi ekstreme është të paktën dyfishuar, shkruajnë mediat.
Valët e të nxehtit janë vrasës të heshtur, tha Friederike Otto, profesoreshë e shkencave klimatike në Imperial College në Londër dhe një nga autoret e raportit. Shtresat e varfra dhe popullsitë e cenueshme, si të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, janë më të prekura nga nxehtësia ekstreme.
Ishujt e Karaibeve ishin ndër më të goditurit, me ditë shtesë nxehtësie ekstreme. Porto Riko, një territor i SHBA-ve, përjetoi 161 ditë me nxehtësi ekstreme. Pa ndryshimet klimatike, ato do të ishin vetëm 48.
Temperaturat e larta të regjistruara në Azinë Qendrore në mars, në Sudanin e Jugut në shkurt dhe në Mesdhe korrikun e kaluar nuk do të ishin të mundshme pa ndikimin e ndryshimeve klimatike, thuhet në raport.
Njerëzit po e vërejnë se temperaturat po rriten, por nuk e kuptojnë gjithmonë se kjo është për shkak të ndryshimeve klimatike, tha Rup Singh, shefi i qendrës për urbanistikë dhe atribucion në Qendrën Klimatike të Kryqit të Kuq.
Raporti thotë se strategjitë për përgatitjen ndaj valëve të të nxehtit përfshijnë sisteme për monitorimin dhe raportimin e temperaturave ekstreme, ofrimin e shërbimeve shëndetësore emergjente, rregullore të reja ndërtimi, zbatimin e rregullave të sigurisë ndaj nxehtësisë në punë dhe përgatitjen e qyteteve për t’i bërë më të qëndrueshme ndaj nxehtësisë.
Nismat urbane për të luftuar nxehtësinë ekstreme tashmë janë bërë të përhapura në disa pjesë të Azisë Jugore, Amerikës së Veriut, Evropës dhe Australisë. Një shembull është nisma për mbjelljen e pemëve në Marsejë, në Francën jugore, për të krijuar më shumë zona me hije.
Por pa reduktimin e përdorimit të karburanteve fosile, valët e të nxehtit do të vazhdojnë të bëhen gjithnjë e më të forta dhe më të shpeshta, dhe masat mbrojtëse ndaj nxehtësisë do të humbasin efektivitetin e tyre, thonë shkencëtarët. /Telegrafi/