Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, që këtë herë i hyri garës zgjedhore për të mbetur në këtë pozitë pa logon e partisë ku shërbeu, PDK-së, sot ish-bashkëpartiakëve të tij iu bëri thirrje për “ndalje presionesh”.
Lladrovci tha se është për keqardhje “niveli ku kanë rënë “krerët” aktualë të partisë shtetformuese e shtetndërtuese”, ndërsa tha se “Dada Razë”, duke iu referuar kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit, nuk po iu bën punë.
““Dada Razë” nuk po bën punë as thesi i premtimeve boshe nuk ju ndihmon. Jam i habitur disa nga miqtë e mi, me shokët që deri dje kishim një synim dhe një qëllim të përbashkët partiak e politik, të cilët nuk po zgjedhin mjete për ta frenuar ortekun e fitores “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”. Është për keqardhje niveli ku kanë rënë “krerët” aktualë të partisë shtetformuese e shtetndërtuese, të themeluar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes. Kot i keni përpjekjet për ta bërë “Dadën Razë” faktor politik në Drenasin krenar, Drenasin e nderit, të sakrificës dhe përkushtimit atdhetar”.
Lladrovci tha se as “hapja e thesit të premtimeve boshe” nuk do t’iu kryjë punë në këtë garë zgjedhore.
“Ndalni joshjet, presionet dhe shantazhet ndaj qytetarëve dhe kandidatëve për Kuvendin e Drenasit, sepse edhe më poshtë po bini. Jeni lehtas të lexueshëm. “Dada Razë” nuk po ju bën punë, as hapja e thesit të premtimeve boshe nuk do t’ju ndihmojë. Qytetarët kampion, Lista e kandidatëve kampion, kanë shtëpinë e vet, numrin 101 “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”. Vazhdojmë +4!”, ka shkruar ai./Express/