Rama për Kodin e Ri Penal: Drafti është prezantuar për të mbledhur opinione në mënyrë demokratike e transparente

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot ndaj kritikave dhe shqetësimeve të ngritura në opinionin publik dhe mediatik lidhur me draftin e ri të Kodit Penal, i cili është prezantuar pak ditë më parë nga Ministria e Drejtësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se dokumenti është një produkt i punës së gjatë të një grupi ekspertësh të fushës dhe është hedhur në konsultim pikërisht për të mbledhur mendimet dhe sugjerimet nga publiku dhe grupet e interesit.
“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell,” shkroi Rama. “Ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij.”

Lexo edheSi në jetë, edhe në rrugë – zgjedh gjithmonë cilësinë, me KASTRATI!
Kreu i qeverisë ka shtuar se debati mbi draftin është i mirëpritur, por duhet të fokusohet në thelbin e dokumentit, jo në interpretime të deformuara.
“Hëpërhë problemi më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo,” theksoi ai, “por masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj.”














