Radoniqi i KQZ’së raporton te Presidentja, thotë se po presin raport pse u dështoi faqja, Osmani kërkon numërim manual të secilës votë

Presidentja Vjosa Osmani sot është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Presidenca tha se tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor dhe se Osmani në këtë takim ka ripotencuar “rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi”.
“Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, z. Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem”, tha Presidenca.
Njëkohësisht, Osmani është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve.

Lexo edheSylejman Selimit thotë se katër të akuzuarit kanë pasur kontakte me Adem Jasharin
Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet “me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit”.
Që nga dita e zgjedhjeve, Presidenca tha se Osmani ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.
“Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve”./Express/














