QKUK: Mbi 3 mijë shërbime logopedike gjatë periudhës janar–shtator 2026

Shërbimi i Logopedisë, në kuadër të Klinikës së Otorrinolaringologjisë (ORL) në QKUK, ofron shërbime të vlerësimit, diagnostikimit, trajtimit dhe rehabilitimit për fëmijët me çrregullime të komunikimit, gjuhës dhe të folurit.
Gjatë periudhës janar–shtator 2026, në Shërbimin e Logopedisë kanë vijuar rregullisht trajtimin 112 fëmijë, për të cilët janë realizuar 3,048 shërbime logopedike dhe 141 vlerësime logopedike. Trajtimet zhvillohen në seanca individuale, një deri në dy herë në javë, me kohëzgjatje prej 30–45 minutash, në varësi të nevojave të fëmijës.
Shërbimi përfaqëson një pikë referente për trajtimin e fëmijëve me vështirësi të ndryshme, përfshirë vonesat në zhvillim, vonesat në të folur dhe në gjuhë, çrregullimet fonologjike dhe dislalitë, belbëzimin, apraksinë, çrregullimet e zërit, çrregullimet e spektrit autik, dëmtimet e dëgjimit, paralizën cerebrale dhe vështirësitë në të nxënë.
Që nga marsi i vitit 2025, kapacitetet janë zgjeruar me një kabinet shtesë, ndërsa është investuar edhe në përmirësimin e ambientit, duke krijuar kushte më të përshtatshme dhe stimuluese për fëmijët.

Lexo edheUshqimet që ndalojnë oreksin e tepërt
“Përveç punës klinike, stafi i Shërbimit të Logopedisë është i angazhuar edhe në edukim, vetëdijesim dhe zhvillim profesional, përmes trajnimeve dhe ligjëratave për prindër, edukatorë, mësimdhënës dhe profesionistë të fushave të ndryshme, si dhe përmes pjesëmarrjes në aktivitete profesionale vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Me përkushtimin e stafit dhe zhvillimin e vazhdueshëm të shërbimeve, Shërbimi i Logopedisë në QKUK synon të ofrojë kujdes profesional dhe të qasshëm për fëmijët dhe familjet e tyre.
“Intervenimi i Hershëm” mbetet motoja e Shërbimit të Logopedisë, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes në kohën e duhur për të krijuar mundësi më të mira për zhvillimin e komunikimit, integrimin social dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve.














