Zyrtarë të Qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës fetare druzi shpallën të mërkurën një armëpushim të ri pas luftimeve disaditore që kanë kërcënuar ta prishin rrjedhën e ndryshimit politik pas luftës civile në vend dhe kanë nxitur ndërhyrjen e Izraelit, fqinjit të fuqishëm të Sirisë.
Nuk është ende e qartë nëse marrëveshja e re – e shpallur nga Ministria e Brendshme e Sirisë dhe nga një udhëheqës fetar druzi përmes një video-mesazhi – do të zbatohet.
Një armëpushim i mëparshëm i shpallur një ditë më parë dështoi shumë shpejt.
Një udhëheqës i shquar druz, sheiku Hikmat Al-Hijri, u distancua nga marrëveshja e re që ishte arritur nga zyrtarë të tjerë druzë.
Njoftimi erdhi pasi Izraeli kreu një sërë sulmesh ajrore të rralla në zemër të Damaskut, si pjesë e një fushate që, sipas tij, synon ta mbrojë pakicën druzi dhe t’i largojë militantët islamikë nga kufiri i tij.
Druzët përbëjnë një komunitet të gjerë si në Izrael, ashtu edhe në Siri. Në Izrael, ata shihen si një pakicë besnike, shpesh duke shërbyer në ushtri.
Përshkallëzimi më i fundit në Siri nisi me rrëmbime dhe sulme hakmarrëse ndërmjet fiseve vendëse sunite beduine dhe fraksioneve të armatosura druzi në provincën jugore. Forcat qeveritare që ndërhynë për të rivendosur rendin u përplasën më pas me forcat druzi.
Dhuna në rritje duket të jetë kërcënimi më serioz deri tani për udhëheqësit e rinj të Sirisë për ta konsoliduar kontrollin në vend, pas një ofensive rebele të udhëhequr nga grupe islamiste që rrëzuan udhëheqësin afatgjatë Bashar al-Assad në dhjetor, duke i dhënë fund një lufte civile gati 14-vjeçare.
Udhëheqësit kryesisht sunitë myslimanë janë përballur me dyshime nga pakicat fetare dhe etnike, veçanërisht pas përplasjeve në mars midis forcave qeveritare dhe grupeve të armatosura pro-Assadit, që u përshkallëzuan në sulme hakmarrëse sektare.
Kush janë druzët?
Sekti fetar druzi u formua në shekullin e 10-të si një degë e ismailizmit, që është vetë një degë e Islamit shiit.
Më shumë se gjysma e rreth 1 milion druzëve në botë jetojnë në Siri.
Pjesa tjetër jeton kryesisht në Liban dhe Izrael, përfshirë edhe në Rrafshnaltën e Golanit, të cilën Izraeli i mori nga Siria gjatë luftës së Lindjes së Mesme më 1967 dhe e aneksoi në vitin 1981.
Nuk janë publikuar të dhëna zyrtare për viktima që nga e hëna, kur Ministria e Brendshme siriane tha se ishin vrarë 30 njerëz.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Mbretërinë e Bashkuar raportoi se deri të mërkurën në mëngjes janë vrarë mbi 300 njerëz, përfshirë katër fëmijë, tetë gra dhe 165 ushtarë e forca sigurie.
Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, lëshoi një deklaratë të mërkurën duke e dënuar dhunën.
“Këto veprime kriminale dhe të paligjshme nuk mund të pranohen në asnjë rrethanë dhe bien ndesh plotësisht me parimet mbi të cilat është ndërtuar shteti sirian”, thuhet në deklaratë.
Ai u zotua se autorët do të ndëshkohen.
Druzët në Golan u mblodhën pranë gardhit kufitar për të protestuar kundër dhunës ndaj bashkëkombësve të tyre në Siri.
Të mërkurën, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria izraelite “do të vazhdojë të godasë forcat e regjimit derisa ato të tërhiqen nga zona dhe së shpejti do të rrisë nivelin e përgjigjeve kundër regjimit nëse mesazhi nuk kuptohet”.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën në mbrëmje se Izraeli e ka “detyrë për ta ruajtur rajonin jugperëndimor të Sirisë si një zonë të çmilitarizuar në kufirin me Izraelin” dhe e ka “për detyrë për ta mbrojtur popullsinë druzi”.
Që nga rrëzimi i Assadit, Izraeli ka mbajtur një qëndrim agresiv ndaj udhëheqësve të rinj të Sirisë, duke thënë se nuk dëshiron militantë islamikë pranë kufijve të vet.
Forcat izraelite kanë marrë kontrollin e një zone të sigurisë të patrulluar nga OKB-ja në territorin sirian përgjatë kufirit me Rrafshnaltën e Golanit dhe kanë kryer qindra sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake në Siri. /REL