BallinaLajmeQeveria miraton pagën e 13-të, Azemi: Vendim diskriminues, kërkojmë korrigjimin e tij

Qeveria miraton pagën e 13-të, Azemi: Vendim diskriminues, kërkojmë korrigjimin e tij

Të ngjajshme

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për shpërndarjen e pagës së 13-të për punëtorët e sektorit publik. Megjithëse është thënë se përfitues janë të gjithë ata që kanë plotësuar kushtet, ky vendim ka nxitur pakënaqësi tek punëtorët që i shërbejnë sektorit publik përmes sektorit privat.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), Jusuf Azemi, e ka cilësuar këtë vendim si diskriminues dhe ka kërkuar korrigjimin e tij për të përfshirë edhe këta punëtorë.

Azemi në një intervistë për Ekonomia Online sqaroi se pse i është bërë diskriminim punëtorëve.

“Në rend të parë, ne i gëzohemi faktit që Qeveria e Kosovës po ndan pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, por në anën tjetër, me këtë vendim ka bërë një diskriminim të punëtorëve në nivel të Kosovës. Pasi që ne kemi thënë se ne jemi diku mbi 200 mijë që ndajmë mjete për buxhetin e Kosovës dhe ne jemi ata që prodhojnë dhe atë që pjesën dërmuese të buxhetit të Kosovës e mbulojmë me paratë tona dhe në anën tjetër, nëse ti ndan mjete shumë më shumë sesa sektori publik, është një diskriminim i llojit të tillë me çka këtë mund ta bëjë vetëm një qeveri po them në Kosovë, se diku tjetër nuk mund ta bëjnë në vend që punëtorët e sektorit privat për momentin janë me paga shumë më të ulëta edhe me një gjendje sociale shumë më të rëndë”, tha ai.

Ai tha se punëtorët do të duhej të ishin prioritet nga qeveria mirëpo sipas tij janë trajtuar në mënyrë të kundërt.

“Në vend që këta të jenë prioritet, ky e ka bërë të kundërtën sepse po e them, ne jemi ata punëtorë të cilët prodhojmë, përderisa punëtorët e sektorit publik janë ata të cilët shpenzojnë. Dhe mos të kemi ironi: ne i gëzohemi pagës së 13-të për këta punëtorë, por jashtëzakonisht kemi presione të mëdha nga punëtorët e sektorit privat: ‘pse ata marrin dhe ne jo?’, domethënë çka na dallon neve prej punëtorëve të sektorit publik?”, u shpreh ai.

Azemi e cilëson diskriminim mospërfshirjen e punëtorëve dhe thotë se ky nuk është diskriminimi i parë që po i bëhet punëtorëve.

“Dhe nuk është diskriminimi i parë që u ka bërë këtyre punëtorëve. Po e përsëris, diskriminim njerëzor dhe diskriminim po e themi kështu në kategorizimin e punëtorëve. Sepse nëse dikush u dashtë që të parët ta kenë këtë rrogë, është me pas punëtorët se sado që ndoshta ata mund të thonë që le t’ua paguajnë pronarët e kompanive, faktikisht edhe pronarët e kompanive janë në një gjendje në çfarë jemi ne sot, shumë të rëndë. Dhe unë mendoj që është bërë një gabim shumë i madh, ndoshta do të korrigjohet që edhe këtyre punëtorëve duhet t’u ndahen mjete”, potencoi Azemi.

Ai thekson se komunikimi me Qeverinë Kurti është i pamundur derisa iu drejtua edhe punëtorëve që nuk janë të përfshirë në pagën e 13-të.

“Me thënë të drejtën, nga e kaluara gjithherë kemi përfituar vetëm atëherë kur kemi bërë presione jashtëzakonisht shumë të mëdha. Unë e di që me këta njerëz nuk komunikojnë, me këta njerëz nuk të kuptojnë dhe qëndrimet e veta i kanë qëndrime fikse. Çka po themi, duhet t’u themi shkurt punëtorëve të sektorit privat të Kosovës: juve ju takon paga e 13-të, nuk po jua jep Kryeministri dhe Ministri i Financave. Ai nuk po e sheh të arsyeshme derisa ne e shohim të kundërtën, këta nuk e shohin këtë orientim çfarë ne po e shohim”, thotë ai.

Azemi bëri të ditur se punëtorë të shumtë janë ankuar për mospëfshirjen në pagën e 13-të duke përmendur ata në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës.

“Realisht po, e në veçanti punëtorët për shembull që ne kryejmë shërbime për institucionet shtetërore. Punëtorët e sigurimit, punëtorët teknikë, për shembull ta marrim në QKUK dhe në Universitetin e Prishtinës, domethënë ne paguhemi nga buxheti i shtetit. Këta punëtorë paguhen nga buxheti i shtetit dhe këta punëtorë nuk po paguhen, në fakt kemi një presion jashtëzakonisht shumë të madh. Por megjithatë, domethënë punëtorët normal që duhet të organizohen dhe duhet ta dimë derën se ku duhet bërë presion që të mos ndodhin këto gjëra. Edhe pse po them në të kaluarën jo që gjithherë kemi dalë fitimtarë karshi këtyre udhëheqësve sepse nuk e kanë dertin e punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, shtoi ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, sot në mbledhjen e Qeverisë ka bërë të ditur se ky vendim vlen për të gjithë zyrtarët publikë që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara.

“Po e miratojmë pagën e 13 për të gjithë punonjësit në sektorin publik që marrin pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pra bëhet fjalë për zyrtarët publik. Sa i përket pagës së 13 kanë qenë disa raste pra kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme, është rasti i të gjithë atyre personave që tashmë kanë 12 muaj të plotë. Pra në sektorin publik dhe marrin pagën e 13 të plotë e cila është e barabartë pra kur të llogaritet, është e barabartë me ë vlerën e koeficientit të shumëzuar me njësinë e koeficientëve që ka pozita përkatëse për personin i cili është në listën e pagave në muajin mars, pra në këtë muaj”, tha ai./EkonomiaOnline

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz