Gjykata e Apelit ka anuluar dje vendimin për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj pesë zyrtarëve policorë të dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, në orët e para të 7 korrikut në Lipjan.
Ky vendim ka ngritur zemërimin e familjes së të ndjerit. Alban Zejnullahu, vëllai i Agonit, ka reaguar ashpër duke deklaruar se çdo vendim tjetër përveç paraburgimit për policët na shtyn të mendojmë për opsionet tjera.
Në anën tjetër, avokati i njërës nga palët e mbrojtjes, Besnik Berisha, ka komentuar për Indeksonline vendimin e Apelit. “Vendim i drejtë, por i vonuar. Pres që vendimi i radhës të sjellë një masë edhe më të butë.”
Berisha ka shkuar edhe më larg, duke e cilësuar paraburgimin si rezultat të presionit publik dhe jo të fakteve juridike. “Zyrtarët policor padrejtësisht dhe kundërligjshëm mbahen në masën e paraburgimit vetëm si rezultat i presionit publik.”
“S’ka dyshim të bazuar, nuk ka krim, nuk ka tejkalim të autorizimeve – ka përdorim proporcional të forcës ndaj një personi agresiv, nën ndikim të substancave që vetëm Zoti e di cilat ishin.”
Avokati gjithashtu ka reaguar ndaj deklarimeve të familjes së viktimës në media, duke përdorur një gjuhë të ashpër. “Deklarimet nëpër studio televizive janë për keqardhje. Ata që mendojnë që bëjnë trimni duke e sfiduar ligjin, gabojnë – për ta është: ‘Pushka top, tu bëftë”.
Berisha fajëson edhe shërbimin mjekësor për ndërhyrje të dobët në rastin e Agonit. “Ndihma emergjente ka qenë skandaloze. Mjekja si duket pa përvojë dhe pa pajisje.”
Kujtojmë se rasti i Agon Zejnullahut ka tronditur opinionin publik dhe po ndez gjithnjë e më shumë tensionin mes palëve. Vendimet e ardhshme gjyqësore priten me ankth si nga familja e të ndjerit, ashtu edhe nga opinioni më i gjerë publik. /Indeksonline/