back to top
Sunday, August 3, 2025
BallinaLajmeLajmet e FunditPunësim më i lartë, por rinia ende pa perspektivë në Ballkanin Perëndimor

Punësim më i lartë, por rinia ende pa perspektivë në Ballkanin Perëndimor

Të ngjajshme

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se AKB-ja ka bërë një studim të fuqisë punëtore dhe migrimin e tyre që rezulton i njëjtë me raportin e fundit të Komisionit Evropian, ku shkalla e papunësisë ka rënë në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka arritur nivele historikisht të ulëta, megjithatë ajo mbetet më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian.

“Megjithatë, shohim se rritja e punësimit është ngadalësuar vetëm në 0.2 për qind, gjë që tregon se tregu i punës ende ndjen pasojat e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik. Në rajon, në përgjithësi, ka vende pune për disa profile të caktuara – veçanërisht në sektorin e ndërtimit, teknologjisë së informacionit, tregtisë, logjistikës dhe turizmit. Më të kërkuarit janë shoferët, zanatlinjtë, programuesit, si dhe punëtorët në prodhim dhe punëtorët sezonalë në turizëm. Punë më së shpeshti kërkojnë të rinjtë që sapo kanë përfunduar shkollimin dhe nuk kanë përvojë pune, por edhe punëtorët më të vjetër që kanë mbetur pa punë dhe nuk posedojnë shkathtësi digjitale. Më vështirë punë gjejnë edhe gratë, sidomos në zonat rurale, ku nuk ka mjaftueshëm mundësi apo punë fleksibile”, është shprehur ai.

Shahini ka thënë se të dhënat e AKB-së dhe kontaktet me kompanitë tregojnë se ekziston një gatishmëri gjithnjë e më e madhe, veçanërisht tek të rinjtë për t’u rikualifikuar për profesione që kërkohen nga tregu.

“Megjithatë, nevojitet një mbështetje më e fuqishme institucionale përmes trajnimeve praktike, në mënyrë që ky proces të përshpejtohet dhe të përputhet më mirë me nevojat reale të ekonomisë. Aktualisht, më të kërkuara janë profesionet në sektorin e IT-së, prodhim, logjistikë dhe shërbime. Më pak të kërkuara mbeten profesionet tradicionale administrative dhe ato që nuk janë përshtatur me teknologjitë e reja. Edhe këtë verë vërehen migrime të shtuara të fuqisë punëtore nga rajoni drejt vendeve të Bashkimit Evropian – më së shumti drejt Gjermanisë, Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë. Punëtorët largohen për paga më të mira, kontrata më të sigurta dhe punë sezonale në ndërtimtari, turizëm, bujqësi dhe shëndetësi. Në përfundim Aleanca Kosovare e Bizneseve, beson se çelësi për uljen afatgjate të papunësisë dhe ndaljen e migrimit qëndron tek investimet më të mëdha në arsim, zhvillimin e shkathtësive digjitale dhe lidhjen më të fortë të shkollimit me nevojat reale të tregut të punës. Vetëm në këtë mënyrë mund ta mbajmë fuqinë punëtore në vendet tona dhe ta zvogëlojmë dallimin me Bashkimin Evropian”, ka thënë kryetar i AKB-së, Agim Shahini.

- Advertisement -

Të Fundit