BallinaSportPsikologu: Ja pse Kombëtarja ishte e rënduar emocionalisht

Psikologu: Ja pse Kombëtarja ishte e rënduar emocionalisht

Të ngjajshme

Masat ekstreme të sigurisë nuk kanë bezdisur vetëm sportdashësit, por në aspektin psikologjik kanë ndikuar edhe te Kombëtarja. Forca të shumta policore, vëmendje e përqendruar specifikisht te siguria e ndeshjes, ndryshimi i stadiumit dhe shumë nga këto aspekte kanë ndikuar te lojtarët.

Në analizën psikologjike, Edmond Dragoti ndalet edhe te vetëvlerësimi i lojtarëve si pasojë e suksesit të arritur në Europian. Në një intervistë për “Panorama Sport”, psikologu thekson mungesën e frymës së grupit te skuadra aktuale, ndërkohë që shpjegon edhe psikologjikisht veprimet e trajnerit De Biasi me aktivizimin e tre sulmuesve në fundin e ndeshjes. Sipas tij, masat ekstreme të sigurisë kanë ndikuar te sjellja e skuadrës.

Ndeshja me Izraelin u parapri dhe shoqërua nga masa ekstreme policore. A ndikon kjo në psikologjinë e futbollistëve?

Natyrisht që ndikon shumë. Masat e jashtëzakonshme që u morën, në përgjithësi për tifozët apo ata që do të ndiqnin ndeshjen, ishin me ndikim të madh gjithandej. Veçanërisht tek ata që luajnë, te futbollistët. Në rastin konkret nuk mund të themi që masat ndikuan drejtpërdrejt në humbjen e ndeshjes.

Mendoj se në aspektin psikologjik, nga ajo që vura re në ndeshje, ndikoi ideja e sigurisë që duhet të fitonim, e cila ishte e imponuar gradualisht gjatë kohës ku mbase lojtarët kanë parë mbështetjen e tifozëve, siguria që kanë krijuar nga Europiani dhe u kanë krijuar përshtypjen se Izraelin do ta kalonin lehtësisht. Kjo lloj sigurie i bëri të pakujdesshëm dhe të pavëmendshëm në veprime edhe të thjeshta, si në rastin e Gjimshitit apo edhe në nervozizmin e panevojshëm të Berishës.

Presioni i madh që ushtrohej nga të gjitha anët si dhe shiu e shtoi disi më tepër, dhe ai lloj çrregullimi për zhvendosjen e ndeshjes e liruan përgjegjësinë e futbollistëve për t’u përqendruar maksimalisht. I shfokusuan në aspektin psikologjik të mirëfilltë, edhe për faktin se opinioni publik e kishte më tepër vëmendjen te masat jashtë stadiumit, në zhvendosjen e ndeshjes dhe elementë të kësaj natyre, duke bërë lojtarët që të mos e ndienin peshën e veprimit të tyre mjaftueshëm si në ndeshjet e tjera.

Megjithatë, lojtarët dhe skuadra u shfaq e sigurt përpara ndeshjes…

Siguria që ata kishin përpara Izraelit, ishte si të thuash… fodulle dhe një lloj sigurie që u krijoi hapësirat e nevojshme për të gabuar.

Për më tepër, në këtë grumbullim, Kombëtarja kishte stjuartë sigurie në hotel që shoqëronin personalisht lojtarët…

Teprimi në këtë rast ka bërë të vetën. Masat e marra në mënyrë të jashtëzakonshme ndikojnë. Por unë mendoj se tek ata ndikon më së shumti negativisht vetëvlerësimi i tyre i lartë.

Meqenëse përmendët sigurinë e lojtarëve nga pjesëmarrja në Europian. A është ky një aspekt që duhet punuar mbi lojtarët dhe me ta?

Kjo i ka dëmtuar seriozisht lojtarët tanë, në shumë aspekte. Po të shohësh, kjo ka ndodhur në të gjitha ndeshjet. Jo vetëm ndaj Spanjës, pra një ekipi shumë të madh, por sidomos me ekipet e dobëta. Performanca ndaj Spanjës duhet të zhvillohej me më tepër përqendrim dhe vëmendje nga lojtarët, gjithashtu edhe në ndeshjen ndaj Maqedonisë.

Ndërsa me Izraelin, ajo që ndodhi ishte një skandal. Një dobësi, kryesisht psikologjike. Ata humbën më tepër nga shkujdesja, nga siguria në vetvete, nga vlerësimi i madh që i kanë bërë vetes dhe ekipit të tyre dhe nga fakti që mendojnë se janë të pjekur mjaftueshëm për të përballuar edhe ekipe të mëdha.

Kjo ka të bëjë edhe me mungesën e traditës së ekipit tonë kombëtar. Suksesi i Europianit krijoi një vetëvlerësim të madh te lojtarët tanë. Madje, ata e konsiderojnë veten të pazëvendësueshëm. Në rast se nuk luajnë një ndeshje, bëjnë gjeste fodulle dhe kjo gjë reflektohet edhe tek ata që janë në fushë.

 Pse e thoni këtë?

Ata më shumë e kanë vëmendjen se si po i shohin të tjerët, sesa tek ajo që po bëjnë në fushën e lojës. Ky lloj pasqyrimi i egos së tyre jashtë fushës i bën ata të jenë të pavëmendshëm dhe… të jenë humbës vazhdimisht.

Gjatë javës ka pasur deklarata nga lojtarët dhe trajneri që “rivalizonin” njëri-tjetrin. Si e vlerësoni psikologjinë e grupit: trajner-staf-lojtarë?

Fakti që disa kanë pretendime të avancuara, disa i kanë më të moderuara dhe të tjerë që nuk kanë akoma pretendime tregon që nuk ka akoma një frymë grupi. Nuk ka një mënyrë të menduari, një mënyrë të shpresuari dhe një pritshmëri të vetme. Prania e disa pritshmërive e bën situatën shumë vulnerabile, shumë të riskuar. Në kualifikueset për në Europian, lojtarët tanë kishin një frymëmarrje, një ritëm dhe një mobilizim, gjë e cila është një aspekt shumë i rëndësishëm psikologjik që duhet arritur në një ekip, pasi është shumë përcaktuese.

Edhe skuadrat tona, me një nivel të ulët në kohën e socializmit, imponoheshin me mobilizimin e tyre, përballë skuadrave të mëdha botërore. Mbase, trajneri vlerëson më së shumti aspektin taktik, sesa atë psikologjik të lojtarëve. Por, shqiptarët kanë humbur edhe territore, sepse nuk kanë arritur të bashkohen. Ky, mbase mund të jetë një mësim edhe për ndeshjet e futbollit.

Nëse lojtarët ishin të përfshirë emocionalisht, po trajneri?

Më bën shumë përshtypje. Formacioni fillestar ishte realist në pretendimet për të fituar, por ndërrimet që u bënë, ku aktivizoheshin sulmues për mbrojtës apo për mesfushorë, tregojnë që edhe vetë trajneri është përfshirë në nervozizmin e lojtarëve. Nga ngërçi që pësuan ata, ai donte me patjetër të zhbllokonte situatën me një gol.

Ishte shenjë dorëzimi apo forcë nga ana psikologjike prej trajnerit ky veprim i tij (zëvendësimet)?

Për mua, ishte moment dëshpërimi. Ai kërkonte me çdo kusht një zgjidhje, pasi nuk kishte asnjë alternativë taktike dhe mënyrë tjetër për të ndryshuar situatën. Ai luajti psikologjikisht, duke menduar: ‘unë jam i mundur, por të paktën të provoj të ndryshoj situatën’.

 

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz