Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po mbahet seanca për rastin e 400 kilogramëve në narkotikë që janë gjetur në Lipjan tek kompania MC Food.
Në këtë seancë, po e jep dëshminë edhe i dyshuari Kadri Brahimaj i cili ishte punëtor në këtë kompani, shkruan lajmi.net.
Ai ka thënë se në këtë kompani, pra “MC FOOD”, ai ka filluar punën në mesin e punëtorëve të parë, në vitin 2012-2013, derisa ka treguar se ishte i angazhuar në pozitën e punëtorit të thjeshtë që ka kryer çfarëdo pune që ka pas nevojë.
Brahimaj ka treguar se kur është ngritur në detyrë.
“Prej fillimit 2015-s, e deri kur ka ndodhë rasti jam kanë depoist kryesor. E kam pasë detyrë numërimin të ardhjes dhe daljes së mallit. Për proceset e mallit, përgjegjës janë punëtorët, por edhe unë jam në gjendje gatishmërie për t’i ndihmuar, p.sh. në shkarkim. Por, ndihmën e jap vetëm jashtë frizave”, “I verifikojmë kodet. Ne e kemi të ndalume prej AUV-it me i hap paketat, për shkak të ndryshimit të datave ose mundësisë për me bo dallavere… sepse e ka një tiketë që kur të hapet nuk mund të paketohet prapë prej fillimit”, ka thënë Brahimaj para trupit gjykues.
Ai u pyet edhe pse në ditën kritike gjatë shkarkimit i kishte ndarë paketimet në dy grupe, për çka tha se e kishte bërë pasi malli kishte dy barkode, “82-shi dhe 101-shi” e që sipas tij numërohen ndryshe.
Gjykatën ai e njoftoi për lajmërimin që i bëri shefit, kur pa se një pjesë e mallit mungon.
“Nuk guxoj me nënshkru dokumentin që është me minus, se i bie që unë jam hajdut, që une kam vjedhë. Dikë duhet me lajmëru. Nëse nuk vepron kështu, rrezikon me humbë vendin e punës. E kam pas gjendjen e rëndë ekonomike, e kam mbajtë familjen 5-anëtarëshe dhe s’kam rreziku me e humbë vendin e punës”, deklaroi Kadri Brahimi.
Ai ka thënë se nuk ishte detyrë e tij të hynte te frigoriferët ku mbahet malli, ndërsa ka thënë se janë dy koridore ku tek njëri zbraset malli e te tjetri bëhet ngarkimi dhe ka thënë që aty janë tri kamera që e monitorojnë.
Kadri Brahimi, sipas aktakuzës, paletën me substancë narkotike, me qëllim të mosidentifikimit, e ka ndarë në një pjesë të veçantë.
“Nuk është e vërtetë që kam vepru kështu. Ju e keni pa edhe në video që janë procedura të njëjta. Unë këtu në seanca kam dëgju që kamerat kanë marrë pamje 20 giga. Nëse veç një milimetër ka lëvizë diçka, mbaj përgjegjësi”, tha ai, duke shtuar se është i vetmi punëtor që posedon çelësin e depos dhe kodin e alarmit të saj.
“Prej kur më ka urdhëru policia, shihet në kamera, nuk kam lëvizë fare. Më kanë rrah si qenin edhe s’kam lëvizë, mundeni me pa edhe vet” deklaroi Brahimi.
Përmes disa fotografive të dhuruara si dëshmi, Kadri Brahimi thotë se ka dashur të faktojë se nuk është kriminel, ka kushte të rënda ekonomike dhe shtëpia e tij rrezikon të shembet.
Kujtojmë se të dyshuarit akuzohen se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA”, për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por sipas prokurorisë në to ishin vendosur substanca narkotike.
Rasti ndodhi në maj të 2021-s.