BallinaOpinionePse dekreti i Presidentes ishte i domosdoshëm

Pse dekreti i Presidentes ishte i domosdoshëm

Të ngjajshme

Shkruan Kolë Krasniqi

Në momentet kur institucionet bllokohen dhe Kushtetuta rrezikon të mbetet një tekst pa fuqi reale, kërkohet veprim – jo hezitim. Dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk ishte një akt i zakonshëm politik, por një ndërhyrje e domosdoshme kushtetuese për të shpëtuar funksionimin e shtetit nga një bllokadë e rrezikshme institucionale!!!

Le ta themi qartë: problemi nuk ishte Presidentja. Problemi ishte një Kuvend që nuk arriti të përmbushë një nga detyrimet e tij më themelore kushtetuese – zgjedhjen e Presidentit të Republikës brenda afatit të përcaktuar qartë nga Kushtetuta.

Kur një organ kushtetues dështon të veprojë, problemi nuk është më procedural – është thelbësisht sistemik. Moszgjedhja e Presidentit, mungesa e kuorumit dhe pamundësia për të zhvilluar votimin nuk janë devijime të zakonshme parlamentare, por tregues të qartë të një sistemi të paralizuar, që ka humbur aftësinë për të ushtruar funksionet e tij kushtetuese.

Në një situatë të tillë, çdo mosveprim do të ishte papërgjegjësi. Presidentja nuk kishte luksin të presë pafundësisht një Kuvend që nuk funksionon. Përkundrazi, ajo kishte detyrimin kushtetues të veprojë për të shmangur vakumin institucional dhe për të rikthyer funksionimin normal të shtetit.

Ata që sot e kontestojnë këtë dekret, në thelb mbrojnë një logjikë të rrezikshme, e cila tashmë është shndërruar në praktikë në Kosovë: që një pakicë deputetësh, përmes mospjesëmarrjes në Kuvend, të mund të bllokojë pafundësisht proceset kushtetuese. Nëse një qasje e tillë pranohet, atëherë Kushtetuta rrezikon të shndërrohet në një dokument që mund të shkelet dhe të sabotohet përmes mungesës së qëllimshme të deputetëve, në vend që të zbatohet me përgjegjësi prej tyre.

Kushtetuta nuk është hartuar dhe miratuar për të mbrojtur bllokadat, por për t’i zhbllokuar dhe për të mos i lejuar ato. Pikërisht këtu qëndron thelbi i nenit 82: ai nuk është një dispozitë dekorative, por një mekanizëm funksional për dalje nga kriza.

Argumenti formal se “nuk janë zhvilluar tri rundet e votimit” bie sapo merret parasysh realiteti juridik: pa kuorum nuk ka votim; pa votim nuk ka procedurë; pa procedurë kemi bllokadë. Dhe kur procedura bëhet e pamundur, Kushtetuta kërkon zgjidhje, jo alibi.

Prandaj, dekreti i Presidentes nuk ishte thjesht i lejueshëm, por ishte i domosdoshëm, ngase shmangu një vakum të rrezikshëm institucional në krye të shtetit, riktheu sovranitetin te qytetarët përmes zgjedhjeve të reja, mbrojti funksionimin normal të institucioneve dhe vendosi një kufi të qartë ndaj abuzimit me procedurat parlamentare.

Në të kundërtën, mosveprimi do të nënkuptonte pranimin e një precedenti të rrezikshëm: që institucionet mund të bllokohen pa afat dhe pa pasojë.

Një shtet serioz nuk funksionon mbi bllokadë. Një rend kushtetues nuk mbijeton mbi mungesë kuorumi. Dhe një Kushtetutë nuk interpretohet për të justifikuar krizën, por për ta zgjidhur atë.

Prandaj, dekreti i Presidentes duhet parë për atë që është në të vërtetë:

një reagim i domosdoshëm dhe një mbrojtje e rendit kushtetues.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz