Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë lidhur me protestën e planifikuar të Partisë Demokratike, e cila do të mbahet të shtunën, në orën 18:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”.
Siç raporton Euronews.al, protestuesit pritet të mblidhen fillimisht pranë godinës së Kryeministrisë, por demonstrata mund të përhapet në rrugët përreth. Policia e Shtetit ka paralajmëruar se disa kryqëzime mund të bllokohen dhe janë të pritshme prani e shtuar policore, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut gjatë orëve të protestës.
Ambasada amerikane ka këshilluar qytetarët amerikanë dhe personelin e saj të shmangin zonën e demonstratës dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore. Ndërkohë, qytetarët këshillohen të qëndrojnë vigjilentë, të jenë të kujdesshëm me ambientin përreth dhe të kenë një plan emergjent ose strategji daljeje nga zonat e mbipopulluara.
Njoftimi i ambasadës thekson se, edhe pse protestat shpesh fillojnë paqësisht, situata mund të ndryshojë shpejt dhe kjo mund të shkaktojë bllokime, devijime dhe ndërprerje të qarkullimit.
Qytetarët paralajmërohen të shmangin përdorimin e telefonave ose kufjeve që mund të shpërqendrojnë vëmendjen dhe të ndjekin vazhdimisht mediat lokale për informacion të përditësuar.